Ministria e Brendshme e Serbisë po kërkon Faton Hajrizin për vrasjen e policit dhe plagosjen e efektivit tjetër një ditë më parë në Serbi.
MPB ka shpërndarë fotografinë e tij në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve për ndihmë në lokalizimin e tij.
Në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit, i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Por, Daçiç tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë. “Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiç.
Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka shoqëruar të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me makinë.
Top Channel