Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të mërkurë në kryeqytet të gjithë kryetarët e bashkive të vendin, për të diskutuar përshpejtimin dhe monitorimin e procesit të legalizimit.
Kreu i qeverisë njoftoi se procesi i legalizimit të banesave nuk do të jetë më monopol i Kadastrës, që sikurse tha “në disa raste e shfrytëzon nga krimbi i kërkesës për ryshfet”, por do të udhëhiqet nga bashkitë. Ai u kërkoi kryebashkiakëve të krijojnë një grup pune, për të ndihmuar qytetarët dhe për të monitoruar punën e Kadastrës.
“Jemi për të komunikuar për nevojën e fillimit të punës, që u mor si rezultat i një diskutimi të nisur së bashku, të nxitur nga disa deputetë të PS, i pari ndër ta Erion Braçe. Edhe si rezultat i faktit që me pjesën e regjistrimit të pronave në kadastër kemi një ecuri poitive, me pjesën e legalizimeve nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces, kjo ka një dobi pasi jo vetëm do të shtojë forcat për të zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët, por edhe do të shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër. Në këtë kontekst, janë bashkitë që do të vendosin prioritetet dhe do të përcaktojnë ritmin e planit të punës. Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar të zgjedhur nga ju. AKSH po ndihmon ASHK për të pasur një platformë pune digjitale, për më shumë transparencë. Kështu, bashkitë nuk do të jenë në pamundësi t’i japin përgjigje qytetarëve kur vijnë te ju, dhe Kadastër të mos ketë monopolin që e shfrytëzon për fat të keq, nga krimi i kërkesës për ryshfet apo qoftë anashkalimi.
Procesi ka pasur progres, por është i pakënaqshëm, duhet të jemi të vetëdijshëm se përtej faktit që ligji e parashikon përfundimin e ligjit në 2028, duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet, sepse është e padrejtë që disa presin prej vitesh, disa të tjerë e marrin legalizimin, edhe pse janë aplikues të mëvonshëm. Keni për detyrë të vendosni radhë. Legalizimi i banesave kërkon fokus të veçantë nga ju. Ka një sërë bashkish që kanë numra të vegjël kërkesash dhe nuk ka asnjë arsye në botë që njerëzit në këto bashki të presin akoma. Sa u përket ndërtesave pa leje për biznes mund të presin. Të parët janë banorët dhe shtëpitë e tyre”.
Arbër Mazniku, ministër shteti për pushtetin lokal tha se janë 237.000 dosje, për të cilat edhe me ndihmën e bashkive do të përshpejtohet legalizimi.
Top Channel