Ishte radha e Vlora Hysenit numrit një të inteligjencës shqiptare të paraqiste raportin vjetor të SHISH në komisionin parlamentar të sigurisë nga ku ka folur për një bashkëpunim të ngushtë me SPAK.
Si gjithmonë e shoqëruar nga një prej drejtoreshave të shërbimit, u ul në këtë komision nga ku pati kërkesën për mos marrjen pjesë në raportim të deputetëve pa certifikatë sigurie dhe mbajtjen me raportit me dyer të mbyllura.
“Për shkak se raportimi i kreut të SHISH për veprimtaritë vjetore përmban informacion të klasifikuar kërkojmë që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe me certifikimin e duhur të deputetëve që do të jenë të pranishëm”, tha Hyseni,
Kjo kërkesë e zonjës Hyseni krijoi debate në komision.
Naço: Unë e kuptoj që je i lumtur ti dhe Ferdinandi, ju të dy keni certifikatë dhe do t’i nxirrni këta jashtë, nuk jua jap këtë kënaqësi, seanca do të bëhet e hapur dhe e mbyllur për publikun.
Raportimi Vlora Hysenit është fokusuar tek puna e SHISH gjatë vitit 2023. Numri një i SHISH citohet të ketë deklaruar se:
“Gjatë vitit objekt raportimi, kontributi informativ i SHISH, ka qenë dinamik, vlerësues e paralajmërues ne nivelin strategjik për çështje të sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare dhe konkret dhe i dobishëm për kundërvënien me agjencitë ligjzbatuese. Kemi rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese referuar kompetencës së tyre lëndore si me SPAK, BKH, DPPSH, prokuroritë e rretheve gjyqësore etj. Referuar bashkëpunimit dhe informacionit të SHISH, janë realizuar kundërvënie konkrete ndaj veprimeve të jashtëligjshme brenda dhe jashtë vendit”, tha Hyseni.
“Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, kundër spiunazhin ku përfshijnë kundërvënie të shërbimve të inteligjencës serbe e ruse dhe shteteve të tjera me qëllime armiqësore me Shqipërinë”, tha Hyseni.
Top Channel nga burime në Kuvend mëson se disa prej anëtarëve të komisionit të sigurisë kanë aplikuar për certifikata sigurie dhe nuk i kanë marrë ende.
Në dijeni të këtij fakti Vlora Hyseni, artikuloi kërkesën e nisjes së raportimit vetëm përballë atyre që e kanë një certifikatë të tillë, e cila lëshohet edhe me aprovimin e SHISH.
Ish ministri punëve të brendshme demokrati Flamur Noka i njohur për lidhjet brenda shërbimit inteligjent shqiptar, shpërtheu në akuza se përse seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.
“Qeveria dhe kryeministri ka urdhëruar shefen e SHISH që të aplikojë kodin e mafies për të bllokuar transparencën para qytetarëve shqiptarë dhe deputetëve, rast i paprecedentë“, tha Noka.
Top Channel