Sot besimtarët bektashinj festojnë Ditën e Ashures.
Duke sfiduar temperaturat e larta të korrikut, sot për besimtarët bektashinj është Dita e Ashures. Ashurja, është një rit tradicional bektashian, që përkujton heroin e Qerbelasë, Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e tij, që u vetëflijuan, gjer në sakrificën njerëzore, sublime, për mbrojtjen e idealeve të jetës.Për dhjetë ditë, bektashinjtë agjërojnë dhe në përfundim të agjërimit besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj vihet ashurja në zjarr dhe vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”.
“Dëshira ime është që kjo ashure të jetë e mbushur me mëshirë dhe dhembshurinë e Zotit. Profeti ynë na thotë se Muharremi është një muaj I shenjtë dhe si I tillë mëkatet e kryera gjatë Muharremit peshojnë shumë më tepër se çdo herë tjetër, dhe veprat e mira shpërblehen bujarisht”, tha Baba Mondi.
“Kjo festë më mbush shpirtin me gëzim. Unë jam myslimane. Nëna ime pjata tek komshinjtë, atëherë kur ndalohej.
E kemi festuar që fëmijë, me të jemi rritur. Ashurja si qëllim, ka bashkimin e njerëzve për të bërë gjëra të mira”, thanë qytetarët.
Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite. Ashure do të thotë dita e njëmbëdhjetë. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë si dhe shumë prodhime të tjera që dalin nga toka. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë, bëhen lutje fetare në një heshtje zie. Pastaj bëhen vizita, gjatë të cilave populli dhe besimtarët hanë ashuren. Ashurja vazhdon përgjatë gjithë muajit të hënës Muharrem, ku të gjithë besimtarët e pregatisin këtë ëmbëlsirë jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për të gjithë të afërmit, duke u uruar mirësi, paqe, dashuri midis njëri-tjetrit.
Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamit.
Top Channel