Një video e re e momenteve para atentatit ndaj Donald Trump herët në mëngjesin e së dielës në Pensilvani ka dalë në dritë, duke ngritur pikëpyetje të reja në lidhje me boshllëqet e sigurisë që lejuan të ndodhte incidenti.
Në video shihet se qytetarët kanë parë 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks teksa është ngjitur në çatinë nga ku ka qëlluar drejt ish-presidentit amerikan.
“Ai po ngjitet në çati, e shihni? A është shtrirë?”, “ta shohim, është shtrirë” dëgjohen të thonë qytetarët. “Policia këtu, është dikush në çati”, bërtet dikush me uniformë.
BREAKING:
New video shows just how early on people spotted the Trump shooter and started alerting the police pic.twitter.com/ZC2wrsJNfm
— Visegrád 24 (@visegrad24) July 15, 2024
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara po heton se si autori i atentatit ndaj ish-Presidentit Donald Trump arriti të afrohej aq pranë saqë arriti të hapë zjarr dhe ta plagosë atë me një armë të stilit AR të shtunën në Pensilvani. Ngjarja po konsiderohet si një dështim i thellë i agjencisë.
FBI-ja identifikoi të dielën 20 vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish presidentit Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.
Agjencia tha se Crooks ishte nga Bethel Park i Pensilvanisë, rreth një orë larg nga vendi i tubimit politik ku zoti Trump u qëllua në vesh, ndërsa mbante një fjalim për fushatën.
Crooks u vra nga personeli i Shërbimit Sekret. Ai ishte vetëm 150 metra larg vendit ku po fliste ish-Presidenti Trump kur hapi zjarr.
Presidenti Joe Biden tha të dielën se ai ka kërkuar një analizë të pavarur të masave të sigurisë në tubim. Biden tha se ai ka udhëzuar gjithashtu Shërbimin Sekret të SHBA-së që të rishikojë të gjitha masat e sigurisë për Kuvendin Kombëtar Republikan, që fillon të hënën në Miluoki. Biden u bëri thirrje amerikanëve që të mos spekullojnë lidhur me motivin e autorit të sulmit.
FBI po e heton atentatin si një akt të mundshëm terrorizmi të brendshëm. Sulmi tronditi majat e sistemit politik amerikan dhe solli si rezultat – të paktën përkohësisht – një zbutje të fushatës së nxehtë presidenciale të 2024-ës.
Motivi i autorit mbetet i paqartë. Familja e tij po bashkëpunon me autoritetet. Në makinën e autorit të dyshuar të sulmit u gjetën materiale për prodhim bombash dhe se të tilla materiale u gjendën edhe në shtëpinë e tij.
Prirjet politike të tij nuk ishin të qarta. Ai ishte regjistruar si votues republikan. Por, sipas të dhënave të Komisionit Federal Zgjedhor kur ishte 17 vjeç, ai pati dhënë edhe një kontribut prej 15 dollarësh për organizatën politike “ActBlue”, e cila mbledh fonde për kandidatë demokratë dhe me prirje të majta. Kevin Rojek, agjent i posaçëm i FBI-së i ngarkuar me zyrën në terren në Pittsburgh, u tha gazetarëve se “është e habitshme” që personi i armatosur qëlloi katër ose pesë herë përpara se të vritej.
“Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur se cili ishte ai motiv”, tha agjenti Rojek, duke vënë në dukje se hetimi mund të zgjasë me muaj.
Top Channel