Pak ditë pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, Top Channel ka sjellë për publikun pjesën e dytë të dokumentarin të realizuar për jetën e tij në 75-vjetorin e lindjes.
Në puntatën e radhës të “Exclusive”, teksa i rrëfehej Pirro Milkanit, Kadare vizitonte Moskën, 50 vjet pasi ishte larguar nga kryeqyteti rus.
Ishte e vështirë të kuptoje emocionet e tij. Vizitën e parë ia kushtoi institutit “Gorki”, i cili nuk kishte pësuar asnjë ndryshim. Gjithçka ishte njësoj si 50 vjet më parë.
“Botimi më i bujshëm ka qenë në 1961 në Rusi. Unë sapo kisha lënë Rusinë si student, libri u përgatit gjatë kohës që unë isha student dhe doli në kohën që isha larguar.
Para se të dilte libri unë kam marrë një pjesë të madhe të honorarit që ishte shumë i madh. Rusia paguante shumë dhe me këtë honorar shumë të madh bleva gjëra ekstravagante për kohën. Bleva një kamera gjermane për të xhiruar, bashkë me tryezën e montazhit. Ishte një gjë luksi”, tregonte Kadare.
“Të thuash epitetin “e bukur” për vajzat moskovite ishte një gjë shumë e thjeshtë dhe e besueshme. Në përgjithësi vajzat ruse janë të bukura dhe të ëmbla.
Kjo gjë dihej botërisht, nuk jam unë i pari që e them këtë. Habiteshe pse këto vajza janë të veshura në mënyrë kaq elegante, jo të prapambetura? Sepse nuk duhet harruar që këtu ka qenë qendra e botës komuniste. Rrjedhimisht ka qenë qendra e mondanitetit komunist”.
Kadare në ato vite kishte një ëndërr, të bëhej kineast. Nga ai pasion ruhet ende titulli i filmit “Ëndërra nr. 2” dhe një sekuencë e shkurtër me një vajzë të re të quajtur Tanja Vinjeskaja një bionde moskovite për të cilën ai shkruajti edhe një vjershë:
Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Vec ndonjë nate
Gishtat e dikujt do te mpleksen ne flokët e tu.
Me te largetit gishtat e mi, me kilometra te gjate…
Top Channel