Skandali me Meksikën merr përmasa politike, Partia Laburiste ndërhyn urgjent te FIFA para sfidës me Norvegjinë
Federata Angleze do të kërkojë të bindë trajnerin Gareth Southgate që të vazhdojë qëndrimin me Anglinë deri në Botërorin e 2026.
“Tre Luanët” siguruan vendin në finalen e dytë radhazi pas fitores 2-1 me Holandën pak ditë më parë dhe të dielën do të kenë mundësinë të fitojnë trofeun e parë që pas vitit 1966, ku do të përballen me Spanjën.
Pavarësisht rezultatit të së dielës, Federata Angleze është e sigurtë në aftësitë e Southgate dhe do të kërkojë vazhdimin e bashkëpunimit me teknikun që e ka drejtuar kombëtaren që prej vitit 2016.
Për 53-vjeçarin opinioni ka qenë gjithmonë i ndarë, pasi Southgate ka marrë shumë kritika dhe për humbjen e mundësive të shkëlqyera në vitet paraardhëse për të fituar një trofe. Si në Botërorin e 2018 me gjysmëfinalen e humbur ndaj Kroacisë, në Euro 2021 me finalen e humbur ndaj Italisë apo dhe me Botërorin e 2022 me çerekfinalen e humbur ndaj Francës. Në çdo rast, Anglia ka pasur potencialin për të rrëmbyer trofeun, por ka dështuar gjithnjë në pengesën e fundit.
Nga ana tjetër, nuk duhet mohuar edhe rritja e konsiderueshme e përfaqësueses angleze që prej vitit 2016, kur u emërua Southgate. Në mënyrë të vazhdueshme, “Tre Luanët” po luajnë në fazat më të rëndësishme të turneve, si gjysmëfinalet apo finalet. Gjysmëfinalja në Rusi 2018 ishte e para për Anglinë në një Botëror që prej Itali 1990.
Finalja në Euro 2021 ishte e para për Anglinë që prej 1966. Dhe tanimë, Southgate u bë dhe trajneri i parë në historinë e kombëtares angleze që i çon në dy finale radhazi dhe në një finale që luhet jashtë ishullit.
Përtej të gjithave, ky 8-vjeçar mund të konsiderohet pozitiv dhe Federata Angleze pret konfirmimin nga ana e Gareth Southgate, që nëse fiton në finalen ndaj Spanjës në Euro 2024, do të gdhendë me gërma të arta emrin e tij në historinë e Anglisë, krah Sir Alf Ramseyt, njeriut që udhëhoqi “Tre Luanët” drejt suksesit të vetëm në Botërorin e 1966./ Super Sport
Top Channel