Kremlini: Dislokimi i raketave amerikane në Gjermani mund t’i bëjë kryeqytetet evropiane objektiva të raketave ruse

13/07/2024 22:45

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në një video të publikuar të shtunën se vendet evropiane do të rrezikonin veten nëse pranojnë vendosjen e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi.

I pyetur nga gazetari Pavel Zarubin, i televizionit shtetëror rus, në lidhje me mundësinë e vendosjes së raketave hipersonike në Evropë nga Shtetet e Bashkuara, zëdhënësi Peskov tha: “Ne kemi potencial të mjaftueshëm për t’i penguar këto raketa. Por kryeqytetet e këtyre shteteve (evropiane) janë viktimat e mundshme”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, raketat amerikane të dislokuara në Evropë ishin të drejtuara kundër Rusisë, dhe nga ana tjetër, raketat ruse kishin për objektiv Evropën, duke i bërë vendet e kontinentit viktimat kryesore të çdo konflikti të mundshëm.

“Evropa po shpërbëhet dhe kjo nuk është një periudhë e mirë për kontinentin. Kështu, në një mënyrë ose në një tjetër, historia do të përsëritet”, tha zëdhënësi i Kremlinit për televizionin shtetëror rus.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani njoftuan të mërkurën se në vitin 2026 do të fillojnë vendosjen e raketave amerikane me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani, një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

Armët e fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, shënojnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Presidentin Vladimir Putin. Deklarata amerikano-gjermane të mërkurën thoshte se “dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake, ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjatë veprimi./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA