Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi të shtunën se po monitoronte një “valë” provash me raketa që po ndodhin në rajonin verior të Kinës që njihet si Mongolia e Brendshme dhe se forcat e saj të mbrojtjes ajrore ishin në gatishmëri.
Tajvani i qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, vëzhgon nga afër të gjitha aktivitetet ushtarake kineze duke pasur parasysh aktivitetet e rregullta të Pekinit rreth ishullit, por rrallëherë publikon detaje të asaj që sheh që ndodh brenda Kinës.
Ministria tha se në orën 4 e mëngjesit me orën lokale, kishte zbuluar “valë të shumëfishta që tregonin prova me raketa” nga Forcat Raketore të Kinës në Mongolinë e Brendshme, e cila shtrihet rreth 2,000 km nga Tajvani.
Forcat e Tajvanit po monitorojnë vazhdimisht zhvillimet dhe forcat e mbrojtjes ajrore janë në gatishmëri, bënë të ditur zyrtarë të ministrisë, por pa dhënë detaje të tjera.
Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Forcat Raketore kontrollojnë arsenalit e raketave konvencionale dhe bërthamore të Kinës.
Në gusht të vitit 2022, Kina lëshoi disa raketa në ujërat përreth Tajvanit si shprehje e zemërimit rreth një vizite në Taipei të kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara Nancy Pelosi.
Tajvani operon stacione të fuqishme radarësh që mund të vëzhgojnë larg në brendësi Kinë, sipas burimeve të sigurisë.
Kina e përçmon presidentin e Tajvanit Lai Ching-te, i cili mori detyrën në muajin maj, duke e quajtur atë një “separatist” dhe që nga zgjedhja e tij ka rritur presionin ushtarak.
Zoti Lai ka qenë vazhdimisht i hapur për bisedime me Kinën, por Pekini e ka refuzuar një gjë të tillë. Ai i ka hedhur poshtë pretendimet e Pekinit mbi ishullin, duke thënë se vetëm njerëzit e Tajvanit mund të vendosin për të ardhmen e tyre./ VOA
Top Channel