Të gjithë të akuzuarit për tentativën e grushtit të shtetit në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në vitin 2016, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Trupi gjykues prej 3 anëtarësh, i drejtuar nga gjyqtarit Zoran Radovic, e justifikoi vendimin me faktin se sipas tij, “nuk kishte asnjë provë se të akuzuarit ishin fajtorë për veprat për të cilat ngarkoheshin, kështu që akuzat ndaj tyre rrëzohen”.
Në këtë mënyrë, konsiderohen te lire edhe shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuar për organizimin dhe financimin e ndryshimit me dhunë asokohe të Qeverisë në Mal të Zi. Në 2019-tën, një gjykatë në kryeqytetin malazez kishte shpallur fajtorë e kishte dënuar me gjithsej 69 vjet e shtatë muaj heqje lirie, 14 persona të akuzuar për trazirat në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016.
Shishmakov dhe Popov, ishin dënuar në atë rast në mungesë me përkatësisht 15 dhe 12 vjet heqje lirie. Podgorica zyrtare i pati akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.
Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska hedhur poshtë mundësinë që “mekanizmat shtetërorë rusë”, të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti.
Top Channel