Mediat greke që i kanë dhënë një vend të veçantë zjarreve që kanë shpërthyer para dy ditësh në zonën e Dropullit kanë bërë me dije mëngjesin e sotëm se dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e tyre.

Avionët që do kenë bazën e tyre në aeroportin e Korfuzit janë ngritur prej mëngjesit dhe kanë fluturuar drejt territorit shqiptar, pasi është dhënë edhe miratimi i organeve greke që kanë pohuar se në këtë ishull nuk ka sot ndonjë rrezik zjarri.

Ka disa vite që sa herë që organet shqiptare kanë bërë kërkesë drejt Mekanizmit Europian të Emergjencave, Greqia ka dërguar avionë ose helikopterë zjarrfikës.

Ndërkohë që edhe forcat shqiptare kanë ndihmuar vitin e kaluar për disa ditë në një prej zjarreve më të mëdha të vendit në pyllin Dhadhja në lindje të vendit.

Gazetari i Top Channel, Aleksandër Marku, raporton se sa i përket zjarrit në Dropull, përsëri mediat greke kanë njoftuar se tashmë po mbahet në kontroll dhe se nuk rrezikohen zonat e banuara.

Në këto orë thonë të njëjta burime ka disa vatra zjarri në bashkinë e Finiqit, ku po operohet me forcat zjarrfikëse nga toka si dhe forca të ushtrisë, kurse në zonat malore po operojnë avionët grekë që kanë mbërritur nga Korfuzi.

Sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve nga dita e djeshme përveç Greqisë ku temperaturat sot do të variojnë në mesditë nga 37-41 gradë Celcius, edhe vendet e Ballkanit, midis zyre edhe Shqipëria , do përballojnë një valë të madhe të të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA