Kinezi arrestohet për vandalizimin e tempullit japonez të kontestuar nga fqinjët (fotot)

10/07/2024 18:07

29 vjeçari Jiang Zhuojun, u arrestua si i dyshuar për ‘vandalizimin dhe mungesën e respektit ndaj një vendi lutjeje.’

Kinezi që jeton në Japoni është arrestuar për vandalizimin e një tempulli të kontestuar në kryeqytetin Tokio, njoftonte sot policia vendase, ndërsa dy të tjerë janë vendosur në listën e të mbikëqyrurve për dëmtimin e fasadës së tempullit Yasukuni.

I krijuar në vitin 1869 nga perandori Meiji, tempulli nderon rreth 2 milionë ushtarë japonezë që janë vrarë në luftërat e shekujve të 19-të e 20-të.

Por tempulli ka krijuar debate pasi nderon gjithashtu kriminelë të faktuar lufte, prandaj konsiderohet si nga Pekini dhe Seuli si simbol i militarizmit të Japonisë.

Në mediat sociale japoneze u shpërnda një video ku shihej një burrë që urinonte në gurin përkujtimor të tempullit Yasukuni para se të shkruante fjalë ofenduese në të, dhe kjo solli zemerim të gjerë në Japoni.

Personi që postonte videon gjithashtu dënonte shkarkimet radioaktive të Japonisë në oqean nga impjanti i dëmtuar i Fukushimës.

Zyrtarët thanë se kanë arrestuar për çështjen 29-vjeçarin Jiang Zhuojun, i cili jeton në veri të Tokios, të akuzuar si i dyshuar për vandalizëm dhe mungesë respekti ndaj vendit të lutjes.

Policia tha se dy kinezë të tjerë, të identifikuar si Dong Guangming, 36 vjeç, dhe Xu Laiyu, 25 – janë vendosur në kërkim, por dukej se ishin larguar nga vendi.

Rrjeti vendas Japan Times, shkruante se Jiang e Dong kishin shkarravitur me spraj gurin e tempullit, ndërsa  Xu i kishte filmuar.

Dong tha më herët për rrjetin vendas TBS se pranon vandalizmin por veprimet e tij ishin një protestë ndaj lëshimit në oqean nga Japonia të ujit të ndotur nga impjanti i dëmtuar i Fukushimës.

Në prill të këtij viti Korea e Jugut ka shprehur pakënaqësi ndaj ritualit të kryeministrit japonez Fumio Kishida në tempullin Yasukuni Shrine. Pa përmendur emrin e liderit japonez agjencia shtetërore koreane tha se ishte për të ardhur keq për vizitën e liderit japonez në tempullin që ngre lart “agresionin e Japonisë dhe luftën e kriminelëve”, shkruan The Independent.

FOTO GALERI
1/3
Në mediat sociale japoneze u shpërnda një video ku shihej një burrë që urinonte në gurin përkujtimor të tempullit Yasukuni para se të shkruante fjalë ofenduese në të

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA