Çdo sezon veror, Bashkia e Tiranës hap kampe verore për fëmijët e familjeve në nevojë.
Edhe këtë vit, të vegjlit po argëtohen në njërin prej kampeve të ngritura në Parkun e Liqenit Artificial. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aktiviteteve dhe lojrave të grupit të fëmijëve pjesëmarrës, me të cilët ndau edhe disa momente gazmore.
“Një pjesë e qytetit ka shkuar me pushime, por ka shumë prindër që janë ende në punë ose ka familje që nuk i kanë të gjitha mundësitë për t’i filluar pushimet që në korrik, prandaj në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, po organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Jam i sigurt se do të bëheni të gjithë të famshëm, sa në balet, sa në sport, sa me leximet dhe gjërat e mençura që po mësojnë. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin, të krijojnë shoqëri të reja”, tha Veliaj.
Programi dhe aktivitetet në Kampin Veror janë të ndërthurura dhe të organizuara në mënyrë të atillë, për t’i ndihmuar fëmijët të forcojnë aftësitë e tyre shoqërore dhe krijuese.
“Këtu janë fëmijë të moshave të ndryshme, nga klasa dhe shkolla të ndryshme, ndaj këtu krijohen ca lidhje që ndoshta do t’i kenë për gjithë jetën. Qyteti bëhet më i mirë kur bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetri”, tha Veliaj.
Kampi Veror ka për qëllim t’ju ofrojë fëmijëve pushime argëtuese dhe edukues.
Top Channel