Një aksion i gjerë policor ka nisur në veri të Londrës për një person të armatosur me shigjetë pasi ka vrarë mbrëmë tre gra, partneren dhe dy vajzat e një gazetari të rrjetit BBC, njoftojnë autoritetet.
Policia tha se po kërkojnë për 26-vjeçarin Kyle Clifford, si i dyshuar për vdekjet, i cili është në kryeqytet ose rajonin fqinjë Hertfordshire, sipas tyre.
Policia u thirr mbrëmë në shtëpinë e gazetarit ku gjeti tre gratë të plagosura rëndë, të cilat vdiqën më vonë pa mundur të shpëtoheshin.
Viktimat e vrasjes së trefishtë janë identifikuar si bashkëshortja Carol Hunt, dhe dy vajzat e gazetarit sportiv të BBC, John Hunt, njoftonte sot rrjeti shtetëror. Policia tha më herët se viktimat ishin me moshë 25, 28 e 61 vjeçe.
Një hark me shigjeta besohet se është përdorur për aktin, edhe pse policia tha se mjete të tjera mund të ishin vënë në përdorim.
Ministrja e brendshme Yvette Cooper tha se është mbajtur e informuar nga zyrtarët për ngjarjen e rëndë.
Kërkimet dhe hetimi ngjarjes vijojnë.
Top Channel