Kur Shqipëria ka humbur mbi 420 mijë shqiptarë që nga 2011 deri në 2023, paradoksalisht në bashkitë me pakica kombëtare greke vihet re një rritje e popullsisë.
Top Channel ka bërë një krahasim shifrash, ku rezulton se në bashkinë e Dropullit, bazuar edhe nga të dhënat e reformës territoriale, ka një shtim me 60% të banorëve në 13 vite: nga 3503 banorë në 2011, kjo zonë është gati trefishuar në 8259 banorë në 2023. Zmadhim ka pësuar edhe bashkia e Finiqit, me 884 banorë më shumë. Gjithashtu duket se ka edhe përpjekje për të shpallur zona minoritare Himarën apo Konispolin. Bashkia e Himarës është shtuar me 510 persona, ndërsa në Konispol vihet re një ulje e popullsisë me 3347 banorë nga censi i 2011. Këto rritje ekstreme dhe rënie drastike sipas studiuesit Ardit Bidos janë të rreme me qëllimin për të pakësuar etnitetin shqiptar, për ti cilësuar si komunitete me shumicë greke.
“Në bashkinë Konispol ka rënie me 40% në një pellg ku të gjitha bashkitë kanë rritje. Ulja 40% është e pamundur. Ulja e nxënësve në atë bashki është 10% në 10 vitet e fundit. Është e dukshme statistikisht që 2200 formularë janë plotësuar me emra inekzistentë vetëm për të shënuar kombësi greke. Plotësohej me laps e letër asokohe. Menjëherë pas 2011, në 2013, njësia administrative Xarë u përfshi në një VKM të shtetit grek ku u jepet pensione, shtetësi automatike”, tha Bido.
Kjo tentativë, të cilën profesori Bido e quan antishqiptare, me pasqyrimin e të dhënave fiktive nga realiteti, është kryer nën dijeninë e Institutit të Statistikave.
“Census ka metodologji, ka grupe monitorimi nga qendra, ka verifikime post-census. Nuk mundesh të manipulosh shifrën përmes dy tre duarve lokalë’, u shpreh studiuesi.
Statistikat e fundit të INSTAT në censin 2023 tregojnë se 23 485 persona deklarohen grek në territorin shqiptar.
Top Channel