Dy kamionë u dogjën në orët e para të së martës në Mitrovicë të Veriut, ndërsa zjarri prej tyre dëmtoi edhe një veturë udhëtarësh.

Zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani. Ai nuk dha detaje të tjera rreth rastit, përveçse nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.

Sipas REL, pronarët e kamionëve janë shqiptarë, të cilët kanë biznese me shumicë në veri të Mitrovicës, ndërsa automjeti i dëmtuar i pasagjerëve është në pronësi të një serbi, D.P. Zjarrit që përfshiu kamionët, i paraprinë tri shpërthime.

Në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – kanë ndodhur disa incidente të ngjashme këtë vit. Në fillim të qershorit janë djegur dy makina në vendin e njëjtë ku janë djegur edhe kamionët e fundit, ndërsa në fillim të prillit, një pjesëtari të policisë kufitare të Kosovës i është djegur, po ashtu, vetura.

Në fillim të muajit mars është djegur edhe një restorant në pronësi të Natasha Tomaniqit, ish-zëvendëskryetare e Komunës së Zveçanit. Ajo dhe autoritetet lokale kanë thënë se dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht.

Në fund të marsit, ndërkaq, është djegur një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, ish-drejtor i Administratës për Sport, Rini dhe Kulturë në Komunën e Leposaviqit.

Radosavleviq ka thënë për REL-in atëkohë se beson se motivi për zjarrvënien ka qenë i natyrës politike.

Gjatë vitit 2023 dhe në fund të vitit 2022, kur ka qenë në proces riregjistrimi i automjeteve me targa të Kosovës në veri, janë djegur disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës) në atë zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA