Turma të ngjeshura njerëzish para bashkisë së Pamplona tundnin sot njëherazi shamitë e kuqe të festivalit të demave në San Fermin.
Eventi njihet si “festa më e bukur e Spanjës” prej atmosferës dhe energjisë së njerëzve, të bashkuar e ngjeshur me njëri-tjetrin në shesh, në ceremoninë e hapjes, dhe më pas me vrapimet tradicionale të demave.
Pjesëmarrësi i rregullt Jean Guicherd, tregonte për atmosferën elektrizuese në shesh:
“Edhe unë që jam i rëndë, më dukej sikur turma më mbante në ajër, sepse të gjithë kërcenin, të gjithë të shtynin. Sado që përpiqesh të rezistosh bëhesh njësh me turmën, me lëvizjen, është e papërshkrueshme. Je një me të gjithë edhe pse askush nuk e bën qëllimisht, është natyrale. Është një turmë që të bën të ndjehesh sikur je në ujë, por në fakt është një det njerëzish”, tha Guicherd.
Studentja 19 vjeçare Iranzu Arozarena, shtonte se në hapjen e San Fermin asnjë nuk është i huaj me njëri-tjetrin, ngado që të vijnë e kushdo që të jenë.
Roy Van der Loos, turist nga Holanda tha për rrjetin AFP se pëlqen këngët e brohorimet e tufave të ngjeshura të njerëzve.
“Është shumë bukur, sidomos kur të gjithë kërcënonin e këndonin dhe të tjerë hidhnin Sangira mes turmës”, tha ai duke iu referuar pijes tradicionale alkoolike të eventit.
Amaia, turiste nga Buñuel gjithashtu tha se pëlqente atmosferën e vllazërisë së eventit.
“Njerëzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme, por ngjitur me ty mund të kesh njerëz nga Korea, nga Zelanda, nga Toledo, është diçka unike, një sens i pabesueshëm uniteti mes njerëzve”.
Festivali i San Fermín është një festë një-javore me rrënjë historike që mbahet çdo vit në qytetin e Pamplona, Navarra, në Spanjën veriore.
Festimet fillojnë në mesditën e 6 korrikut dhe vazhdojnë deri në mesnatën e 14 korrikut./AFP/
Top Channel