Nga Artur Zheji
Ka pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete!
Sepse Vdekja shfaqet!
Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme.Dhe zagarët ndjehen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër.
Dhe kobrat ndjehen nepërka tinzare e të pabesa, kokëulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurrin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese…
Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndjehen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë.
Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta.
Ata, kinse të vrerosur, parakalojnë kokëulur, në funeral, buzë Zonjës Madhështore, Mbretëreshës së Zezë, me duart me unaza të arta, që ju fshehin paq njollat e gjakut që nuk ju lahen dot.
Ajo qëndron mbi krye të udhëtarit të radhës për në Botën tjetër dhe i këqyr të gjithë si i këqyr Shqiponja, minjtë brejtës të Vendit tim.
Dhe Mbretëresha, që lodron si fllad në atë log të përzishëm, dëgjon lutjet e tyre të heshtura, që ta shtyjnë sa më shumë takimin me të, të Pakorruptueshmen Absolute!
Por Ajo, e Madhërishmja, vazhdon të lodrojë si fllad, mbi atë gumëzhitje milingonash, gjarpërinjsh e hienash dhe përkëdhel ëmbël veç ata, që njerëzisht vuajnë vërtetë për të ndjerin që Ajo ka ardhë të marrë me vete…
Këtë perceptim ndjeva kur sodisja Funeralin e Shtetit për Ismail Kadarenë në udhëtimin e tij ndërmjet dy Botëve.
Shkrimtari i mprehtë dhe ironik, virtuoz dhe vetmitar në më të shumtën e jetës së tij, vështroi së fundmi shumë nga personazhet që kishte qesëndisur dhe tallur, të mbanin radhën në funeralin e tij.
Në të vërtetë, kjo është hakmarrja e tmerrshme e mikrobotës, ndaj atyre që i kanë shpërfillur së gjalli, ju vijnë në funeral, duke ja trazuar qetësinë që lipset në këto raste.
Ndaj dhe e mirëkuptova thellësisht Helena Kadarenë, që largoi turmën e Hiçave të shumtë, në çastet e shkurtra të ndarjes me Ismailin e saj.
Kush kupton, kupton.
Kush nuk kupton, nuk është më puna ime!
Top Channel