Pal Trashaj nuk jeton më. Pas pirjes së helmit në dyert e SPAK një ditë më parë, ai këtë mëngjes dhe frymën e fundit në spitalin e Traumës.
63-vjeçari kishte 16 vite që jetonte në një terror financiar që i mori gjithçka kishte. Gjithçka nisi në vitin 2008 ku në një institucion financiar në Lezhë ai mori 5 milion lekë të vjetra kredi në “Oportuny-NOA”, të cilën vijonte ta paguante me këste në një bankë të nivelit të dytë.
Pas dy vitesh ky institucion ndryshon emër dhe staf dhe i lejon që këstet t’i paguajë tek kjo zyrë aty ku nis dhe mashtrimi i madh. Pas disa vitesh ai vihet përballë faktit se përveç 8 milionë lekëve që duhet të paguante për kredinë e marrë, duhej të shlyente edhe 4.4 milion lekë të tjera për 5 këste të pa shlyera midis viteve 2011-2013. Fakt të cilin në dhjetor të vitit 2020 ai e denoncoi në Top Channel.
Pavarësisht se kërkoi sqarime ai gjithmonë përcillej me shkresa pa vula që i kërkonin vetëm të paguante. Mendoi dhe të denonconte, por në dorë institucioni financiar nuk i jepte asnjë dokument. Ky borxh i keq u ble nga një tjetër kompani, STAR, në 2017 e cila shtoi presionin ndaj Pal Trashajt, i cili për Top Channel në vitin 2020 tha se vepronin si bandë kriminale.
Për këtë borxh të pa shlyer i cili muaj pas muaji rritej Pal Trashaj humbi shtëpinë dhe gjithçka kishte. Çelja e hetimeve për skemat e mikrokredive ishte shpresa e fundit e tij e cila u shua mesditën e kësaj të marte në derën e SPAK kur mori vendimin e vetëflijimit.
Top Channel