Botuesi i Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh shqiptar që ndërroi jetë ditën e sotme, Bujar Hudhri, në një intervistë për Top Channel, tregoi se si ishte gjendja e tij shëndetësore para se të vdiste dhe se a i ngeli ndonjë merak.
Hudhri: Nuk e kisha menduar një lajm të tillë, kam menduar që një shkrimtar i madh si Kadare nuk i përket kësaj bote, por një planeti paralel të letërsisë, ku nuk ka kohë dhe limite. Kadare më thoshte që shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit, në rastin më të mirë është shtëpia e vërtetë e shkrimtarit dhe më shumë se kurrë i ndjej këto fjalë si një njeri i shtëpisë së tij letrare, që e lidhja me botën që kontribuoja për letësinë botërore. Unë e kam ndjerë gjithmonë këtë raport timin, unë jam botuesi i tij, miqtë e tij janë Homeri, Shekspiri, Eskili, nuk janë askush tjetër në këtë botë.
A iku me ndonjë merak Kadare, çfarë bisedonit në tavolinat e kafeve të përditshme?
Hudhri: Mendoj që ka ikur i lumtur, edhe pse nuk i shkon letërsisë së tij kjo fjalë. Ishte i lumtur që vjet ‘Onufri’ nxori veprën e tij të plotë me 7 vëllime, që koicidonte 70 vjet me letërsinë e tij. Në ato 7 vëllime herë 1000 faqe, një numër biblik që e zgjodhi vetë Kadare, jam i lumtur që kjo vepër madhështore u promovua në panairin e librit në Prishtinë, me praninë e Kadaresë. Ishte një atmosferë që Kadare u ndje shumë mirë.
Si ka qenë gjendja e tij shëndetësore para se të ndërronte jetë?
Hudhri: Ka qenë i dobët fizikisht, kishte dëshirë të dilte, dilte me vështirësi. Dilte te kafja e tij e preferuar, ku takonte njerëz nga më të ndryshëm. Ishte në Tiranë dhe kanë qenë orët e tij më të bukura në kafene duke biseduar dhe takuar njerëz.
A jeni kontaktuar nga personalitete të huaja?
Hurdhi: Kadare është pjesë e thesarit botëror, mori çmimet më të larta, vlerësimi më i madh është që është në panteonen e letërsisë botërore. Një shkrimtar nuk ka lindje dhe vdekje, nuk ka një kufi kohor.
Kush do të kujdeset për homazhet, keni ndonjë detaj?
Hurdhi: Homazhet janë marrë përsipër nga Kryeministri, një figurë e tillë e madhe i përket kombit tonë.
Top Channel