Prodhimet bujqësore të Zharrëzës tashmë kanë kaluar kufijtë e Europës dhe eksportohen edhe në SHBA.
Leonart Nako nga fshati Zharrëz ka nisur të kultivojë perime katër vjet më parë në një serë me sipërfaqe prej 4 dynymësh, duke përfituar nga grantet e qeverisë dhe IPARD. Çdo vit ai ka rritur sipërfaqen e kultivimit, duke marrë edhe toka me qira. Këtë sezon ka kultivuar mbi 2 hektarë me speca dhe kastravec, në sera dhe në fushë.
Leonarti tregon se deri tani ka arritur të vjelë rreth 400 kv speca, ndërsa me kastravecin sapo ka filluar vjeljen dhe ka vjelë afërsisht 180 kv. Ai shpreson që deri në fund të sezonit të mbledhë mbi 160 tonë perime.
Për të gjithë prodhimin ka një treg të sigurt dhe kontrata të rregullta me kompani që eksportojnë në Gjermani, Zvicër, Suedi dhe deri në SHBA. I vendosur për të rritur më tej sipërfaqet, fermeri mbetet skeptik pasi në zonë është shumë e vështirë gjetja e krahut të punës.
Vitin e kaluar, në Njësinë Administrative Zharrëz u mboll një sipërfaqe prej 233,350 m² me sera diellore, ku u arrit një rendiment prej 17 mijë kunjtalë.
Kulturat mbizotëruese ishin domatet, sallatorët, specat, lakrat, si dhe kulturat me prodhime pakice si luleshtrydhet, karrotat, patëllxhanët, shalqinjtë dhe pjeprat.
Gjithashtu, 67 fermerë janë të përfshirë indirekt në eksportimin e produkteve bujqësore nëpërmjet pikave të grumbullimit në qarkun e Fierit, ndërsa 6 fermerë kanë lidhur kontrata bashkëpunimi me firma të ndryshme për eksportin e produkteve.
Top Channel