Bujku shqiptar po merret gjithnjë e më pak me blegtori dhe këtë e tregojnë të dhënat e publikuara nga INSTAT. Nëse i referohemi shifrave në këtë 5 vjeçar në vendin tonë, ka 153 mijë gjedhë më pak, si dhe afro gjysmë milioni dhi më pak.
Edhe pse numri i krerëve po bie çdo vit, Ministria e Bujqësisë në këto vite vazhdon që blegtorin shqiptarë ta mbështesë vetëm për numrin e krerëve duke lënë mënjanë kërkesën e fermerëve subvencionimin lekë për litër qumësht.
“E para ka të bëjë me braktisjen e fshatit dhe më pak familje fermerë në fshat do të thotë më pak blegtori më pak toka të punuara. Duhet synuar që këto fonde të munguara të IPARD-it të kompesohen menjëherë. Shteti të marrë masa që të injektohen menjëherë për blegtorinë”, shprehet eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia.
Sipas ekspertit të bujqësisë Ndoc Fasllia, të mbarështosh gjë të gjallë nuk është fitimprurëse për fermerin, por ky realitet mund të ndryshojë vetëm nëse Ministria e Bujqësisë do t’i ofrojë fermerëve mbështetje afatgjatë që ul kostot e prodhimit të mishit dhe qumështit.
“MBZHR duhet të shohë mundësinë e kalimit me kontrata afatgjata me fermerët për kalimin e tyre të paktën me 5 vjet që do të thotë duhet të hiqet dorë nga mbështetja sezonale e cila krijon pasiguri. Atëherë për fermat mbi 10 kokë gjedhë dhe 50 të imta të lidhet një kontratë 5 vjeçare”, tha ai.
Rënia e numrit të blegtorisë për konsumatorin shqiptarë do të thotë më pak produkte vendase dhe më tepër mish e bulmet importi, ndërsa për fermerin tonë përkthehet si më pak të ardhura, pas industria e qumështit në Serbi gjen sasinë e qumështit që i nevojitet me çmim shumë më të lirë se qumështi I fermave vendase.
Top Channel