Spalletti përzien kartat para Zvicrës, ja si pritet të rreshtohet Italia

28/06/2024 20:24

Italia dhe Zvicra do të jenë dy skuadrat e parë që do të zbresin në fushë për fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian, teksa vetëm njëra prej tyre do të arrijë të vazhdojë rrugëtimin më tej në çerekfinale.

“Të kaltrit” e Spallettit siguruan kualifikimin vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes ndaj Kroacisë, teksa tashmë vijnë në fazën me eliminim direkt, aty ku çdo gabim i vogël kushton shtrenjtë, ndaj skuadra vijon të punojë shumë për përballjen me helvetët.

Media italiane bën me dije se me skuadrën nuk janë stërvitur dy futbollistët e Interit, Alesandro Bastoni dhe Federico Dimarco, me të parin që ka pasur temperaturë dhe djegie fyti, ndërsa anësori i majtë ka një problem në pulpë dhe do të mungojë ndaj Zvicrës.

Trajneri Spalletti ka të qartë idenë për mbrojtjen, teksa do ta nisin nga minuta e parë Di Lorenzo, Mancini, Bastoni dhe Darmian, e nëse qendërmbrojtësi zikaltër nuk ia del, atëherë do të zbresë në fushë futbollisti i Torinos, Alessandro Buongiorno.

Në mesfushë pritet të ulet në stol Jorginho, teksa krahas Barellës dhe Cristantes, treshja pritet të kompletohet nga futbollisti i Juventusit, Nicolo Fagioli, i cili vjen pas një pezullimi të gjatë, por duket se ka bindur Spallettin me formën e tij.

Në sulm është e sigurt prania e Chiesës në të djathtë, ndërsa dy pozicionet e tjera do të jenë dilema të Spallettit deri para ndeshjes. Në të majtë është testuar El Sharawi, por edhe Zaccagni e Pellegrini, ndërsa në qendër po rivalizojnë fort Scamacca dhe Retegui.

Sfida mes Italisë dhe Zvicrës do të startojë në orën 18:00 në “Olimpiastadion” të Berlinit, i njëjti stadium ku “të kaltrit” fituan Kupën e Botës në vitin 2006, duke mposhtur në finale Francën me penallti./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA