Mjekët të shqetësuar pas skandalit te Onkologjia: Pacientët janë mosbesues, njëri më mori në telefon pse nuk i kishin rënë flokët

27/06/2024 17:07

Drejtoria e QSUT ka pezulluar nga puna mjekët e përfshirë në dosjen “Kobalti”, Alketa Pere, Brikena Qirjazi, Edmond Gashi si dhe koordinatorin Emiljano Lela.

Pas skandalit në shërbimin onkologjik është acaruar marrëdhënia mjek pacient ku edhe ata të cilat nuk i kanë emrat në dosjen e prokurorisë, po përballen me agresivitetin e familjarëve të pacientëve.

Sotiraq Senjo, mjek onkolog: “Puna vazhdon normalisht. E vetmja gjë që shohim është që pacientët janë bërë më mosbesues dhe kjo nuk i shërben fare pacientëve.

 Ka agresivitet nga pacientët?

Sotiraq Senjo, mjek onkolog: Mua më kanë marrë familjarë të pacientëve dhe më kanë thënë që nuk kanë ecur mirë pacientët se nuk i është futur uji, apo nuk i kanë rënë flokët. Por jo me të gjitha kimio terapitë të bien flokët. Marrëdhënia mjek- pacient është dëmtuar dhe kjo do të ketë efekte afatgjata. Jo të gjithë pacientët ecin mirë nën trajtim. Ata që do të ecin keq do të jenë mosbesues. Çdo të bëjmë tani, do thërrasim prokurorinë për Çdo gjë?

Përfshirja e disa individëve në skemat e korrupsionit, po penalizion të gjithë mjekët që ofrojnë shërbim në Onkologjik shumë prej të cilëve kanë shpëtuar jetë njerëzish.

Si i lexoni ju ato radhë të përgjimeve ku thuhej që mjekët ulin dozat e kimioterapisë?

Sotiraq Senjo, mjek onkolog: Mjekët ulin dozat e kimioterapisë, kjo është diçka normale që ndodh në raste komplikacionesh, por nuk do të thotë që ulet doza me qëllimin për të shitur. Mjeku nuk ka asnjë kontakt e ilaçet. Mjeku plotëson recetën dhe e dërgon nëpërmjet infermieres në farmacinë qendrore ku tretet ilaçi dhe nuk ka asnjë kontakt me ilaçin. Nuk mund të marrë mjeku ilaçin dhe ta shesë.

Ekipi i mjekëve në shërbimin onkologjik shprehet i revoltuar pasi janë kundër hetimeve që ndërmerr prokuroria, por publikimi i dosjes sipas tyre  është i patolerueshëm pasi cenon rëndë imazhin e të gjithë bluzave të bardha.

Në dosjen e prokurorisë përfshihet dhe brakiterapia e cila ka mbërritur që në kohën e pandemisë dhe për të cilën mjekët kanë denoncuar pasi burimi i rrezatimit nuk kishte bunker të posaçëm dhe rrezatimi dëmtonte mjekët dhe pacientët.

Mjekët janë të alarmuar pasi thonë që ky burim rrezatimi është shumë pranë ku ata ofrojnë shërbim…

Rozana Buci, fizikante mjekësore: Ky burim është i kapsuluar dhe në ambientet ku lëvizin në asnjë moment nuk ka pasur doza rrezatimi mbi nivelin e lejuar. Nëse ky burim do të ishte në punë gjatë asaj kohe, atëherë mjekët do kishin të drejtë të shqetësoheshin.

Ky burimi rrezatimi është nxjerrë nga kapsulimi vetëm për t’u testuar dhe nuk është vënë asnjë herë në funksion ndërkohë që ka vetëm një vit kohë që të mund të përdoret ende.

Top Channel