“Të ndalim të rinjtë të ikin”! Ambasadori i Anglisë në Shkodër: Dy në tre të rinj duan të largohen

27/06/2024 15:37

Nga Veriu, aty ku një pjesë e madhe e të rinjve, kanë emigruar drejt Anglisë, ambasadori Britanik, Alastair King-Smith, apeloi që të punohet për të rikthyer shpresën.

Në fjalimin e tij, gjatë “Festës Britanike të Çajit” të zhvilluar në Shkodër, Smith, tha se falë partneritetit mes dy vendeve, tashme ka më më shumë mundësi për të rinjtë.

 “Ne dëshirojmë të vazhdojmë të frymëzojmë njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri. Të rinjtë tanë janë aseti më i madh që kemi. Duke i mbështetur, ne, së bashku mund ta shndërrojmë veriun e Shqipërisë në një zonë mbresëlënëse. Shumë të rinj, veçanërisht nga veriu mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte ta linin Shqipërinë dhe të udhëtonin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesërisht, kjo është si pasojë e ndikimeve sfiduese të pabarazisë së zhvillimit, në të gjithë vendin”, tha Smith.

Teksa renditi investimet britanike në vendin tonë, mes të cilave edhe mbështetjen për hekurudhën Durrës- Prishtinë,  Ambasadori tha se sërish shifrat janë në disfavor.

“Si pjesë e përpjekjeve tona në zhvillimin ekonomik, një nga arritjet më krenare të mia është krijimi i Dhomës Britanike të Tregtisë me bizneset kryesore britanike dhe shqiptare. Ne kemi ngritur Qendrat e Sipërmarrjes Rinore në Kukës, Has, Tropojë dhe Dibër, plotësisht të financuara nga Mbretëria e Bashkuar. Këto po ndihmojnë të rinjtë të njohin çfarë mundësish kanë. Tashmë e dimë që trafiku i qenieve njerëzore vazhdon të jetë një problem, veçanërisht në veri. Kësisoj, Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë 250 persona për të patur akses në shërbimet profesionale dhe mbështetjen për riintegrimin, përmes koalicionit kombëtar të strehëve, si edhe duke bashkëpunuar me policinë për hetimet. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të vetëkënaqemi, e dimë prej studimit më të fundit të Këshillit Britanik se mbi dy të tretat e të rinjve vazhdojnë të synojnë largimin nga Shqipëria”, tha ambasadori.

Të pranishëm në këtë takim ishin autoritetet qendrore e vendore nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA