Raportimet nga Serbia bëjnë të ditur se portieri i Torinos, Vanja Milinkoviç-Saviç, pati një përleshje fizike me një tifoz në një lokal në Mynih në mes të ndeshjeve në grupet e Euro 2024.
Portieri 27-vjeçar nuk luajti asnjë minutë në turneun e Gjermanisë, u mbajt në stol për barazimet me Slloveninë dhe Danimarkën si dhe humbjen ndaj Anglisë. Dy pikët e Serbisë nuk mjaftuan për të përparuar në fazën eliminatore, duke e mbyllur herët fushatën e tyre.
Gazeta serbe Telegraf pretendon se Milinkoviç-Saviç shkoi në një lokal në Mynih të njohur për serbët gjatë një dite të lirë përpara ndeshjes kundër Danimarkës, kur u përfshi në një përleshje me një tifoz.
Dyshohet se një tifoz e ka pikasur portierin 27-vjeçar të Torinos duke pirë në lokal dhe është përballur me të, duke pyetur se pse nuk ishte me shokët e skuadrës duke u përgatitur për ndeshjen e fundit të grupit të Euro 2024.
Temperaturat u ndezën ndërsa Milinkoviç-Saviç me sa duket shau tifozin përpara se t’i afrohej dhe ta gjuante. Sigurimi i lokalit në fillim dhe më pas pronari, ndërhyn për të ndarë portierin e kombëtares serbe dhe tifozin.
Gazeta ka kontaktuar me pronarin e lokalit, i cili ka dhënë një rrëfim pak më ndryshe, duke thënë: “Vanja erdhi në lokalin tonë, por sigurimi në hyrje nuk e njohu dhe nuk deshën ta fusnin pasi kishte veshur bluzën e kombëtares, pantallona të shkurtra, gjë që e zemëroi tifozin dhe pati një sherr mes tyre.
“Ndërhyra shpejt, e kapa për dore dhe i thashë të hynte me mua, por ai nuk pranoi. Gjithçka ndodhi në kopshtin e lokalit. Nuk dëgjova se çfarë i thanë portierit dhe çfarë i thanë njëri-tjetrit. Më vjen mirë që në fund zgjidhëm gjithçka.”
Top Channel