Një nga diskutimet më të shpeshta të këtij Europiani ka qenë forma e dobët e Anglisë në fazën e grupeve. Pavarësisht se e mbyllën të parët grupin C me 5 pikë, Tre Luanët nuk kanë shfaqur një lojë bindëse. Debatet kanë qenë të shumta lidhur me mesfushën dhe sulmin, teksa shumë analistë dhe ish-lojtarë kanë ofruar alternativa nga më të ndryshmet lidhur me formacionin e anglezëve.
Në mesfushë, është e mundur të gjesh opinione se zgjidhja përkrah Declan Rice është Kobbie Mainoo apo Adam Wharton. Ose zbritja poshtë e Jude Bellingham nga pozicioni i mesfushorit të avancuar. Disa parapëlqejnë energjinë e Conor Gallagher. Ndërkohë që të shumtë janë ata që pranojnë se eksperimenti i Trent Alexander Arnold në mesfushë ka funksionuar mirë.
Gjithashtu propozohet që Phil Foden të zhvendoset në një pozicion më qendror pas Harry Kane. Ndërsa Bukayo Saka ka qenë një nga të paktit që i ka shpëtuar kritikave në të djathtën e sulmit. Por, për të ka pasur gjithashtu mendime se duhet të kalojë në ish-pozicionin e tij. Në krahun e majtë të mbrojtjes, duke qenë se Anglia po vuan mungesën e një futbollisti natyral në atë pozicion.
Kjo shumësi opinionesh sjell disa përfundime. Pavarësisht zgjedhjeve, Southgate nuk mund t’i kënaqë të gjithë me formacionin e tij. Me këtë organikë që kanë në dispozicion, teoria që Tre Luanët nuk kanë ekuilibër bie poshtë. Ndërsa përveç dyshes së mbrojtjes Guehi-Stones, asgjë tjetër nuk ka funksionuar siç duhet.
Ndërkohë që kombëtaret favorite zakonisht kanë arritur konsolidimin në fazën me eliminim direkt, Anglia ka qenë e paqartë edhe me zotërimin e topit. Saqë është e vështirë të imagjinosh që Southgate të gjejë një formulë magjikë që skuadra të fillojë të luajë në një mënyrë pro aktive. Ai mund të zgjedhë si formulën më të mirë vazhdimësinë e strategjisë mbrojtëse që ka aplikuar deri më tani.
Pas së gjithash, në fund të fazës së grupeve, Anglia ka pësuar vetëm një gol. Spanja ka një rekord më të mirë, teksa ka mbajtur portën të paprekur në tri duelet e grupit B. Por sa i takon statistikës së golave të pritshëm, Spanja e ka pasur 2.7, ndërsa Anglia vetëm 1.1. Shifra më e ulët në Euro 2024./Super Sport
Top Channel