Mjaftoi një mea culpa që saga ligjore 14 vjeçare e Julian Assange të marrë fund: Themeluesi i Wikileaks u lirua sot nga një gjykatë ishullin amerikan të Paqësorit, Saipan, pasi u deklarua fajtor për shkeljen e ligjit të spiunazhit, ujdi kjo që i mundësoi kthimin e menjëhershëm në vendlindjen e tij, Australi.
Vendimi i tij në 2010-tën për të publikuar qindra mijëra dokumente të klasifikuara mbi luftrat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak, rrjedhja më e madhe e këtij lloji në historinë e ushtrisë amerikane, pati një kosto të lartë për 52 vjecarin: Assange kaloi mbi pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe dhe shtatë vjet të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ndërsa kundështonte akuzat për abuzim seksual në Suedi dhe ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku përballej me 18 akuza penale.
Gjatë seancës gjyqësore gati 3 orëshe sot, ai prahnoi fajësinë për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane, por shtoi se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes.
“Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më japë informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja”, tha Assange në gjykatë. “Besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë veprimtari, por e pranoj se ishte… shkelje e statutit të spiunazhit”, shtoi ai. Gjykatësja Ramona V. Manglona e liroi Assangen pasi ai e pranoi fajësinë, në bazë të marrëveshjes me prokurorët amerikanë, dhe pasi i ka kryer tashmë pesë vjet burgim në burgun e Londrës.
“Ne besojmë fuqishëm se Assange nuk është dashur të akuzohej kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit”, tha avokati i tij amerikan, Barry Pollack, pas seancës, ndërsa deklaroi se pavarësisht kësaj, puna e WikiLeaks do të vazhdojë.
Top Channel