Aktivistja italiane si Beleri, u zgjodh eurodeputete teksa ishte në burg: Shpresoja se gjithçka do të përfundonte shumë më shpejt

26/06/2024 08:48

Aktivistja italiane, Ilaria Salis, e cila u zgjodh eurodeputete teksa ishte në burg në Hungari, ka folur në lidhje me eksperiencën e saj gjatë izolimit.

Pas lirimit nga arresti shtëpiak, dënim të cilin po e vuante, ajo ka shprehur mirënjohje për votuesit që i rikthyen lirinë dhe u zotua se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e të burgosurve dhe kundër rritjes së grupeve neofashiste në Europë.

Rasti i Ilaria Salis, një mësuese nga Monza, afër Milanos, ngjalli zemërim dhe protesta diplomatike në Itali kur ajo u soll në gjykatë në Hungari me zinxhirë në janar.

Ajo ishte arrestuar gati një vit më parë në një kundër-demonstratë në një tubim neo-nazist në Budapest dhe ishte akuzuar për tre akuza për tentativë sulmi dhe anëtarësim në një organizatë të majtë ekstreme, akuza që mbartin një dënim të mundshëm me 11 vjet burg.

Akuzat, të cilat ajo i mohon nuk janë hequr, por asaj iu dha imunitet nga ndjekja penale pas zgjedhjes së saj si eurodeputete e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë në Itali, e cila fitoi 6.8% të votave në zgjedhjet parlamentare evropiane në fillim të qershorit. Ajo u kthye në qytetin e saj të lindjes më 17 qershor, në ditëlindjen e saj të 40-të.

“Mendova për shumë rezultate të mundshme, por ajo që ndodhi në të vërtetë e tejkaloi imagjinatën time. Unë besoj se shumë nga ata që votuan për mua e bënë këtë sepse ata janë sinqerisht të shqetësuar për përparimin e së djathtës ekstreme, dhe pjesërisht donin ta shprehnin atë duke mbështetur një kandidat të hapur antifashist”, tha ajo për “The Guardian”.

“Në realitet, shpresoja se gjithçka do të përfundonte shumë më shpejt. Për të qenë të saktë, është ende herët për të folur për një rezultat, sepse gjyqi është pezulluar vetëm për sa kohë është deputeti i Parlamentit Evropian, pra për pesë vjet. Për më tepër, autoritetet hungareze mund të kërkojnë heqjen e imunitetit”, vijoi më tej aktivistja.

Salis kaloi 15 muaj në paraburgim, në një burg që ajo tha se ishte i mbushur me minj dhe insekte, duke mos u lejuar të lahej për ditë të tëra, teksa ka pasur edhe mungesë të kujdesit mjekësor. Ajo u lirua në maj, kur filloi gjyqi i saj, duke u dërguar në arrest shtëpiak.

Ajo u bë një figurë e urrejtjes për ekstremistët, me një mural të pikturuar në një mur në Budapest që imagjinonte vdekjen e saj duke u varur dhe militantët e ekstremit të djathtë në Telegram duke thënë se donin ta vendosnin atë në një karrige me rrota.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë, sigurisht, një përvojë që më vuri në provë dhe nuk jam rikuperuar ende plotësisht. Mundësia e një dënimi kaq të gjatë, krejtësisht në disproporcion me akuzat, më trembi dhe më tremb ende shumë. Mbaj mend kur prindërit e mi erdhën për të më vizituar, ata mendonin nëse do të ishin ende gjallë 10 vjet më vonë,” tha ajo.

“Nëse ka një aspekt pozitiv, megjithatë, është se gjeta një forcë të madhe brenda meje që më lejoi të mbijetoja në momentet më të errëta. Një forcë e ushqyer vazhdimisht nga solidariteti që ndjeja se ishte aty dhe po rritej jashtë atyre mureve.

Dashuria e atyre që kujdesen për mua dhe atyre që më mbështetën edhe pa më njohur, më ndihmoi të rezistoja dhe ishte forca ime. Kjo ndjenjë është padyshim jashtëzakonisht më e madhe se urrejtja. Unë isha me fat që kisha një komunitet mbështetës rreth meje dhe është vërtet e rëndësishme të sigurohem që askush të mos mbetet vetëm”, u shpreh Salis.

Raportet e mediave në Itali kanë sugjeruar se Salis ishte kapur nga kërkesat e qeverisë hungareze për ta kushtëzuar ekstradimin e saj me mbështetjen e Romës për Hungarinë në BE. Në një intervistë të mëparshme me Guardian, babai i saj tha se kishte frikë se çështja e saj po shfrytëzohej jo vetëm në Hungari, por edhe në Itali.

Matteo Salvini, zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i partisë së ekstremit të djathtë Liga, kritikoi vazhdimisht Salis dhe pretendoi se ajo ishte pjesë e një grupi që në vitin 2017 kishte dëmtuar një belveder të përdorur nga partia në Monza. Për pothuajse vitin e parë të paraburgimit të saj, megjithatë, derisa u soll në gjykatë me zinxhirë, çështja e saj ishte pak e njohur në vendin e saj.

“Në kushtet e paraburgimit në të cilat u gjenda, nuk mund të kisha një perceptim real të këtyre dinamikave, por vetëm ndjesi. Më vonë kuptova se situata ime, kur filloi të merrte vëmendje të konsiderueshme mediatike, ishte ambivalente.

Me një konotacion të fortë politik, nga njëra anë ishte aspekti i mbrojtjes gjatë jetës së përditshme në burg, i cili u përmirësua – për shembull, që nga ai moment munda të shkoja te mjeku, qëndrimi i gardianëve u bë respektues, qelia ishte më pak e mbushur me njerëz, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, kisha frikë se mund të përdoresha si një lloj mjeti pazaresh, për qëllime dhe interesa që shkonin përtej situatës sime”, tha aktivistja.

Salis vijoi më tej duke treguar se qeveria italiane mund të kishte bërë më shumë në lidhje me rastin e saj.

“Nuk mund të mos e vëreja qëndrimin e tmerrshëm të partisë së Lidhjes, por nuk më befasoi. Në fund të fundit, ky qëndrim përmbledh qartë mungesën e vizionit dhe propozimit politik të kësaj partie, qëllimi kryesor i së cilës duket të jetë mbjellja e urrejtjes. E thënë thjesht, unë besoj se ata nuk e kanë shtatin për t’u marrë me mirësi me çështje serioze”.

Ajo synon të përdorë pozicionin e saj si eurodeputete për të bërë fushatë për të drejtat e të burgosurve.

“Unë synoj të vazhdoj luftën për të drejtat e të burgosurve në Evropë, duke u fokusuar veçanërisht në burgjet në Itali dhe italianët e ndaluar jashtë vendit, sepse ato janë situata ku unë mund të kem një ndikim më të madh”, tha ajo./ The Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA