Takim me historinë!

Kështu mund të quhet sfida e së hënës për Shqipërinë, që do të kërkojë fitoren e kualifikimit për mes 16 më të mirave të Europës. Përballë do të jetë Spanja, një nga skuadrat më të mira në Botë. La Roja e ka siguruar kualifikimin si e para e grupit B, por kjo gjë nuk e bën më pak të rrezikshme. Kuqezinjtë e dinë mirë se një fitore në këtë përballje do i përjetësonte ata në historinë europiane.

Në grupin e ferrit, Shqipëria ka treguar se ka petkun për t’u përballur si e barabartë pavarësisht çdo kundërshtari, qofshin këto dhe skuadra që kanë shkruar historinë në vitet e fundit, përballë Italisë kampione në fuqi, apo Kroacisë që në dy botëroret e fundit është renditur e dyta dhe e treta.

Të gjithë janë gati, Sylvinho i ka të gjithë në dispozicion, aty për të dhënë maksimumin kushdo që do të thirret në apel. Pak rëndësi ka se kush do të zbresë në fushë, e rëndësishme është që të gjithë kanë një qëllim, për të bërë ëndrrën e miliona shqiptarëve realitet, që për herë të parë të shkojmë aty ku pak vite më parë duket si një ëndërr e paarritshme. Nuk duhet harruar se falë këtyre djemve jemi këtu, duke përjetuar këto emocione, që janë unike e të papërsëritshme.

Në Dusseldorf e sigurt është që ngjyrat kuqezi do të jenë dominuese, si brenda dhe jashtë stadiumit. Tifozët Kuq e Zi, janë gati për të dhuruar përsëri spektakël,  e për të treguar se janë zemra dhe shpirti i kësaj skuadre.

Shqipëria është gati, për një ndeshje që vlen sa vetë historia, pasi një fitore do na jepte mundësinë që të tregojmë se ne nuk jemi më të vegjël, por jemi po aq të mëdhenj sa dashuria që kemi për ngjyrat tona të flamurit. Shqipëria është gati për takimin e saj me historinë.

 

Top Channel