Kanabis dhe kokainë në Dibër/ Goditen dy raste, bie në pranga 27-vjeçari nga Tirana, nën hetim pesë të tjerë

23/06/2024 10:55

Një person ka rënë në pranga kurse 5 të tjerë janë vënë nën hetim pasi iu gjet kanabis dhe kokainë.

Gjatë megaoperacionit policor “Tempulli 3”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Focës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontrolle në disa automjete dhe shtetas, që lëviznin në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”.

Si rezultat i kontrolleve, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M.Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi e ndarë në doza.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për pasagjerët që udhëtonin me 27 vjecarin, konkretisht shtetasit M.A.; M.Ç.; B.H.; E.V.; të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallzimi i krimit”.

Gjatë kontrolleve, nisi procedimi penal për shtetasin E.B., 37 vjeç, banues në Bulqizë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde narkotike kokainë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel