Vështirësohet emigracioni në Gjermani! Suksesi i AfD-së “ekstreme” nxit debate!

22/06/2024 17:35

Pas zgjedhjeve të BE-së, në Gjermani është rritur presioni për një emigracion të kontrolluar.

Partia e ekstremit të djathtë AfD, që insiston për politika të shtrënguara emigracioni, ka dalë forcë e dytë në nivel federal, ndërsa në pesë landet në lindje të vendit ka zënë vendin e parë. Qoftë në nivel federate apo landesh, ky rezultat i ka alarmuar politikanët drejtues të të gjitha partive, thonë mediat gjermane. Në shtator në tre lande lindore zhvillohen zgjedhjet parlamentare, e nëse AfD del dhe këtu forca më e madhe, do të jetë e vështirë të krijohen koalicione qeverisëse duke e anashkaluar atë.

Kjo po ngjall shqetësim si socialdemokratët (SPD), edhe tek partia kristiandemokrate (CDU). Në periudhën 2022 dhe 2023 në Gjermani kanë hyrë gjithsej 596.000 azilkërkues dhe më shumë se 1,1 milionë refugjatë lufte nga Ukraina në Gjermani. Më 2024 sipas stadit aktual sërish priten rreth 280.000 dhe 300.000 kërkesa për azil. CDU/CSU (kristiandemokrat/kristiansocial), që përbëjnë grupin më të madh parlamentar të opozitës në Bundestag, insistojnë, që procedurat e azilit të zhvendosen sa më shpejt të jetë e mundur në shtete jashtë BE-së, për të kufizuar emigracionin drejt Gjermanisë.

Këto mund të jenë shtetet e tranzitit, ku kalojnë refugjatët në rrugën e tyre drejt Europës, ose edhe shtete të tjera të paprekura nga këto valë. Kryeministrat e landeve janë gjithashtu dakord sa i përket aplikimit të një karte pagese për azilkërkuesit. Në disa rajone ndërkohë është vënë në përdorim karta e pagesës, e cila nga vera do të fillojë të aplikohet në mbarë federatën. Azilkërkuesve do t’u jepen vetëm 50 euro në muaj para në dorë. Të gjitha blerjet e tjera dhe shërbimet e nevojshme do të paguhen nëpërmjet kartës.

Top Channel