“Me Spanjën e vështirë, por të mendojmë pozitivisht”, Altin Lala: Daku? Duhet të jemi shembuj

22/06/2024 10:07

I ftuar në emisionin “Top Arena” në një lidhje “Skype”, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Altin Lala foli për ekipin kuqezi të Sylvinhos dhe shanset që ka përballë Spanjës.

Lala: Të gjithë ne shqiptarët spekulojmë dhe bëjmë llogari, që do luajmë me skuadrën e dytë të Spanjës, por edhe ata kanë cilësi jashtëzakonisht të larta. Ne s’kemi çfarë humbim, do të kemi sërish tifozë në stadium, shpresa është ende. Natyrisht që do të jetë shumë e vështirë, por të mendojmë pozitivisht. Me Kroacinë ose dhe me Italinë patëm shanset tona. Natyrisht që kjo është ndeshja më e fortë.

Manushi: Mbaj mend në ’95, kur Shqipëria luante me Spanjën, ka qenë Dervishi president atëherë, kur ka ardhur presidenti spanjoll atëherë, unë e përktheja, ky thoshte që “Hotel Tirana” ishte gjithë minj, degradim total, Spanja fitoi 5-0 me Shqipërinë. Ne u treguam pak jo aq luftarakë sa duhet dhe ajo fitore i duhej pikërisht me aq gola Spanjës. Këto spanjollët, kanë ndopak zemërgjerësi, kujtojnë historinë kur ne kemi pasur me ta një moment të tillë? Domethënë, a është momenti të na kthejnë ndonjë favor ata në fund fare?

Lala: Unë mendoj të bëjmë një lojë me veteranët dhe të kthejnë ata veteranë që fituan atëherë.

Jupi: Ajo ndeshje është luajtur para se prindërit e Yamal të njiheshin me njëri-tjetrin.

Sinemati: Lala komplimente. Edhe kur luaje ishe i mirë, edhe kur flet je i mirë.

Lala: Ke qenë shumë kritik me mua dhe ti e di shumë mirë. Shkrimi i parë që ka shkruajtur për mua, nëse është i sinqertë… Thuaje. Me zemër të hapur (qesh).

Sinemati: Kushedi çfarë miku ka futur që po luan ky i shkurtri, ky i vogli. Pastaj thotë që ke qenë kritik. Ai me lojë u zgjat pastaj. Kritika ime bëri që ta përcillnin 40 mijë gjermanë.

Lala: Kjo është e vërtetë. Ishin 50, por s’ka gjë.

Manushi: A e kemi një Kombëtare të fortë këtë edicion sipas Altin Lalës?

Lala: Për mendimin tim, sidoqoftë kishim grupin më të vështirë. Ndeshjen e parë shënuan shpejt dhe u kthyen shumë mbrapa. Ndeshja e dytë që nga fillimi më pëlqeu. E vetmja gjë që mund të kritikoja është që trajneri mund të bënte ndërrime përpara. Në minutën 60’ mund të freskonte pak skuadrën. Por në tërësi jemi brenda pritshmërisë, ose edhe më tepër. Aq më tepër edhe tifozët shqiptarë kanë lënë shije jashtëzakonisht të bukur në Gjermaninë depresive. Shpresoj që edhe në ndeshjen e fundit të vazhdojnë të mbështesin skuadrën. Kështu që, nga të gjitha anët, si brenda fushës, por edhe në të gjitha këto vende që shihet futboll, kemi bërë përshtypje të mirë. Ndeshjen e fundit s’kemi çfarë humbim, shpresoj të marrim pikë.

Manushi: A rrezikojmë edhe me këtë historinë e Dakut?

Lala: Është diçka, që ne duhet të jemi shembuj. Ti lejmë serbët. Dhe ne shqiptarët kemi ato traditat tona. Të paktën ato tradita që kemi, ato virtyte, unë i shoh shumë pozitive. Kam vite që jetoj në Gjermani, edhe gjermanët që kanë ardhur në Shqipëri e shprehin këtë gjë. Kështu që ta lemë këtë pjesën e nacionalizmit. Kemi përgjegjësi si lojtarë.

Manushi: Kombëtare më e mirë kjo, apo ajo e 2016-ës në Europian?

Lala: Është si puna e iPhone. Njëshi, dyshi, dhjeta, pesëmbëdhjeta… Çdo gjë vjen duke u rregulluar. Futbolli ecën përpara. Mua për shembull më ka pëlqyer në vitet ’80. Ka pasur super futbollistë, por s’kanë pasur mundësitë e duhura.

Top Channel