Harry Kane po përballet me kritika të shumta në Angli, gjë që po i ndodh edhe trajnerit Gareth Southgate.
Edhe pse shënoi në barazimin 1-1 përballë Danimarkës, sulmuesi i Bayern Munich nuk po jep më të mirën me “Tre Luanët” në Euro 2024.
Kapiteni ka përfunduar nën shënjestrën e tifozëve dhe shtypit ishullor, çështje për të cilën ka reaguar edhe një legjendë si Alan Shearer, i cili shpjegon edhe problemin Kane, duke zbuluar se pse u tërhoq nga Kombëtarja në moshën 30-vjeçare.
“Kur mbusha 30 vjeç dhe nisa ta humbja disi ritmin, kisha nevojë për lojtarë me këmbë të forta rreth meje. Kisha nevojë për ritëm e intensitet afër meje. E njëjta gjë vlen edhe për Kane. Ai ende arrin ta mbajë e mbrojë topin, gjithashtu godet me kokë. Ka një prekje të bukur dhe shënon gola pafund, por e vetmja gjë që nuk e bën dot në mënyrë të vazhdueshme është rinisja e shpejtë.
Kështu që ka nevojë të ketë afër lojtarë që e bëjnë pa probleme një gjë të tillë. Ky është shkaku pse dua ta shoh Gordon në skuadër. Lojtar energjik dhe me aftësinë për të dalë shpejt në kundërsulm. Do të më pëlqente shumë ta shihja afër Kane”.
Top Channel