Shqipëria ende fsheh vende të mrekullueshme që ja vlen, jo vetëm të vizitohen, por edhe të promovohen.
Kanionet e Holtës në Gramsh tashmë janë kthyer në destinacion për turistët, jo vetëm gjatë fundjavave, por çdo ditë këtu gjen qindra vizitorë. Duket se më të apasionuiarit për të zbuluar bukuritë shqiptare janë të huajt.
“Unë jam guidë turistike, vijmë nga Holanda, dhe këta janë klientët e mi. Është hera e 7 ndoshta që e vizitoj këtë vend në 1 muaj e gjysmë. Ka shumë interes për ta vizituar. Unë mendoj se sa më shumë njerëzit postojnë foto, aq më shumë të tjerë shfaqin interes. Kur sheh këtë kanion, është fantastike, është një nga bukuritë e fshehura që ende nuk është zbuluar plotësisht. Është shumë e këndshme të mos kesh qindra njerëz rrotull, ndërkohë që lumenjtë e tjerë janë shumë të populluar. Ky është një nga vendet më të bukura që mund të vizitohen shumë pranë Tiranës, vetëm një orë e gjysmë dhe një udhëtim shumë i bukur”, tha një turist.
“Ne jemi nga Holanda. Është hera jonë e parë në Shqipëri. Ishte hoteli ku po qëndrojmë që na rekomandoi për këtë vend kaq të bukur. Uji nuk është shumë i ftohtë dhe është shumë mirë. Kemi vizituar kanione të tjera ku nuk mund të ecësh nga uji i ftohtë”, u shpreh një tjetër turist.
“Kisha lexuar në internet për këtë vend. Po kërkoja një vend për të vizituar, por afër Tiranës dhe pashë këtë kanion. Shumë i bukur”, u shpreh një turiste.
Nuk është e rekomandueshme, madje është e rrezikshme që kanionet të vizitohen në mot të keq, apo kur në male ka shi. Por me kalimin e viteve, Bashkia e Gramshit, por edhe Administrata e Zonave të Mbrojtura janë kujdesur, jo vetëm për sinjalistikën, por që edhe këtu të ketë punonjës të cilët të kujdesen për sigurinë e turistëve. Ata vizitojnë, jo vetëm kanionin deri në pjesën e sipërme të tij, por edhe kalanë që ndodhet sipër në mal.
Top Channel