Zgjedhjet në Universitete/ Tonin Gjuraj fiton në Shkodër, në Korçë Lorenc Ekonomi. Erald Bakalli triumfon te Artet

21/06/2024 20:06

Votimi për rektor, dekan, shefa departamentesh dhe Senate Akademike në universitete u shoqërua me parregullsi në kryeqytet.

Në universitetin e Tiranës dhe te Politekniku, media u përball me mungesë transparence dhe bllokim të raportimeve.

Procesi i votimit, i cili u hap në orën 8:00 të kësaj të premteje dhe u mbyll në orën 16:00, nuk pati pjesëmarrje të lartë, teksa u duk se jo të gjithë zgjedhësit ishin shfaqur me dëshirë për të votuar.

Gazetarja: Për kë votuat? Apo një kandidat kishte?

Studenti: Vetëm një kishte… jo, nuk e mbaj mend emrin.

Gazetarja: Po si votuat ?

Studenti: Mbaj mend numrin që ishte 2, prandaj…

Nga gjashtë universitete shtetërore në Tiranë, vetëm te Universiteti i Arteve garonin për pushtetin e rektorit dy kandidatë, në të tjerët zgjedhjet zhvilloheshin pa kundërshtarë. Por, nëse stafi akademik ishte më aktiv në këtë proces, studentët u shfaqën më të tërhequr, për shkak se edhe pesha e votës e tyre është vetëm 10%.

Pedagogia: Ishte qetë, pak vapë. Fakti  që ka veç një kandidat tregon jo ndonjë konkurrencë të madhe.

Gazetarja: Do donit të kishte garë reale?

Pedagogia: Patjetër, konkurrencën e inkurajojmë gjithmonë!

Edhe pse ethet munguan te Universiteti i Tiranës, ku rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv/rektorin Akli Fundo, që kërkon pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.

Kur në zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve ka vetëm një kandidat, fleta e votimit parashikon mënyrën e votimit me pro ose kundër. Dhe kur ka mbi 50% të votave kundër, nuk njihet rezultati dhe do duhet të përsëriten zgjedhjet.

Në Universitetin e Arteve, me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit. Rezultat i ngushtë votash ishte dhe në Shkodër ku u zgjodh Tonin Gjuraj, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë rektores aktuale Rajmonda Kcirës dhe kandidates tjetër Nertila Ljarja.  Në Korçë me gati 50% të votave fitoi Lorenc Ekonomi në Universitetin Fan Noli, teksa u rendit në vend të dytë Robert Damo e pas tij Irena Nikaj. Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metallën. Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj. Në Elbasan, me rreth 90% të votave u zgjodh Elvira Fetahu, që deri tani mbante postin e zv/rektores.

Edhe në Gjirokastër, fitorja është e sigurt për kandidatin e vetëm Jaho Cana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA