Muaj më parë në emisionin “Fiks Fare” mbërriti një shqetësim nga banorët e fshatit Bugjon në Pukë,  të cilët ankohen për mungesën e rrugës dhe urës.

Urë kjo që do lidhte tre fshatrat e fundit të Fushë Arrëzit, Bugjon, Kokëdodë dhe Aprripë e Gurit. Mungesa e kësaj ure i kishte izoluar banorët e këtyre zonave dhe ju duhet të kaloni shumë peripeci për të kaluar lumin, i cili ndante këto fshatra.

Duke qenë se situata po vështirësohej dhe pasi nuk panë asnjë reagim nga institucionet dhe pse janë ankuar, qytetarët ndërtuan një urë të vogël prej druri për të kaluar, e cila është shumë e rrezikshme sidomos për fëmijët që e bënin atë rrugë çdo ditë për të shkuar në shkollë.

Menjëherë pas transmetimit të këtij rasti, Filip Gjoka një ish banorë i fshatit Bugjon, premtoi se do të investonte për ndërtimin e një ure që lidhë këto fshatra me njëra- tjetrën.

Gazetarët e “Fiks Fare” së bashku me biznesmenin Gjoka udhëtuan drejt fshatit Bugjon ku rishikuan terrenin për ndërtimin e urës.

Pas matjeve që bënë me inxhinierin e Bashkisë Fushë Arrëz për ndërtimin e saj, u dhanë tre alternative se si mund të ndërtohej. Konstruksion metalik, me kavo ose prej hekuri.

Pas 6 muajsh, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” u rikthyen sërish në Bugjon, por kësaj radhe për të inauguruar urën e re.

Banorët e këtij fshati falenderojnë emisionin “Fiks Fare” dhe investitorin për realizimin e urës, e cila do ju lehtësojë më shumë jetën. Ata shprehin se kjo urë është shpëtim për ta dhe fëmijët e tyre, pasi më parë rrezikonin jetën e tyre duke kaluar lumin për në fshatrat e tjera. Një nga banorët e zonës i cili ka qenë dhe pjesë e punimeve të urës tregon se ura ka përfunduar për 2 muaj dhe se kjo urë është ndërtuar me kavo. Gjithashtu ai tregon se kjo urë mban peshë deri në 20 ton, por fatkeqësisht mungesa e rrugës për makina bënë të mundur vetëm kalimin e këmbësorëve.

Falenderimet për Fiksin nuk munguan as nga Kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz, Hil Curri. Ai tregon se ura ka qenë e domosdoshme edhe pse pushteti lokal nuk e bëri dot.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel