Tashmë në mbyllje të mandatit të tij, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Europian, Josep Borrell, po kërkon t`i japë një shtysë të fundit personale afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Kryediplomati europian u takua në Austri me ministrat e Jashtëm të shteteve të rajonit. “Diskutuam se si të ndërtojmë së bashku një Europë më të bashkuar”, shkroi ai në platformën X.
Në takim mori pjese edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla. Gërvalla shkroi në Facebook se në takim do të paraqesë qëndrimet e Kosovës për sigurinë në Evropë dhe rajon, por edhe për reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit.
“Do të mbështesim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
BE njoftoi më herët gjatë javës se në Austri Borrell, përveç pjesëmarrjes në diskutime të përbashkëta, do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me kryediplomate. Fokusi i takimeve dyditore i grupit të “ministrave të Jashtëm të Danubit” dhe “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është te raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në bllokun europian, dhe avancimin më të madh me hapjen e disa kapitujve në bisedime e kanë Serbia dhe Mali i Zi.
Top Channel