Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nepheë, i cili vizitoi Tiranën, thotë se në qendër të bisedimeve me autoritetet shqiptare, ishte rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, si dhe ruajtja e përparimit të bërë në forcimin e gjyqësorit dhe pavarësisë së tij.
Zëri i Amerikës: Në dy vitet e fundit, kemi parë raste zyrtarësh apo ish zyrtarësh të lartë të qeverisë të cilët ose janë dënuar ose janë vënë nën akuzë për korrupsionit. Kryeministri e ka trajtuar gjithmonë këtë si një çështje individuale. Teknikisht korrekte, edhe sepse ligjërisht përgjegjësia mbetet individuale. Por kur kemi një numër jo të pakët zyrtarësh, qoftë dhe ish anëtarë të kabinetit qeveritar, a nuk duket se është e vështirë të besosh se përgjegjësia është vetëm çështje individësh. Ju si e shihni këtë?
Richard Nephew: Sigurisht është e vërtetë që korrupsioni ka të bëjë me individë, individë që kryejnë shkelje që nuk duhet t’i bëjnë. Por është po ashtu e vërtetë që ata individë funksionojnë brenda një sistemi. Ndaj kur ke shenja se ka një numër individësh që përfshihen në shkelje, duhet të shohësh jo vetëm se si t’i përgjigjesh atyre.
Dhe kjo bëhet duke siguruar që gjyqësori të jetë i pavarur dhe i aftë të funksionojë i pavarur, që prokurorët janë në gjendje të veprojnë të pavarur, por në të njëjtën kohë, edhe që je duke bërë ato lloj përmirësimesh të sistemit që nevojiten dhe kjo është arsyeja pse raportet ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile bëjnë gjithë atë punë për të identifikuar se ku janë këto nevoja për të kryer përmirësime të sistemit dhe, në Shqipëri, ashtu si në shumë vende, kur çështje të tilla identifikohen, është me rëndësi që të merresh me to ballë për ballë.
Top Channel