Nga Agron Gjekmarkaj
Kronikë mbi belara estetike!
Tani disa gjëra u zgjidhen siç e lyp e mbara. Puna e vulës u sqarua. Muçua mbet me gisht në gojë.
Ne vendosem të bëjmë opozite siç i ka hije një opozite që të punon qindin. Ne të kronikes kemi vendosur që një pjese të kohës në Tabir Saraj t’ja kushtoj çështjeve estetike. Për këtë po punohet intesivisht me Kostën e Gramozit dhe të Linditës që merr vesh shumë nga belarat estetike, gjetjet e thukta, ravgimet e qashtra, darovitjet pa dëm, qederet e ëmbla e plot kësosh!
Kemi filluar të hartojmë disa kritere për disa çështje të imazhit dhe estetikes në Kuvend.
Ndoshta mund të krijohet edhe një parrukeri posaçe, një berberahnë, një qendër këshillimore, një rrëfimtore e gjëra të tilla!
Për mbajtjen e mjekrës nga baballarët e kombit:
– Kush duhet ta mbajë e kush jo ? Mban Ulsia po jo Mete, Nikoqiri, Tao pse jo?
– Ku duhet të marrin leje ata pak ministra që kemi? Mos është Bela lejedhënësja ajo qe u thotë kjo duhet prere e kjo rritur, kjo duhet rruar e kjo këputur?
– Kush duhet të lëshoje autorizimet për deputetet? Deri me sot mos ka bërë ndonjë allishverish Majko duke i shitur tinëz?
– A duhet që mjekroshët të respektojnë raportet maxhorancë-opozite?
– Dmth a mundet që opozita të ketë më shumë mjekroshë se maxhoranca?
– Cilat duhet të jenë modelet e mjekrave që duhet t’u lejohen deputetËve e ministrave?
– Nëse nuk pËlqehen a ka të drejtë Ermua t’ua ndukë në të thatë dhe tua hedhë para këmbeve?! Me sa tahmah do ja këpuste Salianjit se ay çoku llap nga pak?!
– Modelet janë tre: e Skënderbeut, e Ismail Qemalit dhe e Babos.
– Dilemave intelektuale kush e ujit dhe prashit, kush e kosit dhe kreh mjekrrën e tij a di kush t’i përgjigjet?!
Sepse po krijohet një situatë disproporcionale.
Për shembull, a mund të jetë Gaz Bardhi me atë mjekërr që duket si e sapombire, homologu i Babos me atë mjekër të hijshme e legjendare si të Ismail Beut nën hijen e se cilës fle një komb i tërë si sheleget në zheg?
Zgjidhjen duket ta kërkojmë te mjekra e Gazit. O ta rrisë e ta zbardhë e ta bëjë për të qenë ose u pa puna, do lere Gjekmarkaj mjekërr, Ed Paloka, shef Oerdi dhe Hyqymeti Kryezevndes Lideri Muli. Pastaj aty krijohet një pyll qe s’di nga t’ja mbash!
Për veshjen e zonjave e zonjushave deputete:
– A mundet që ngjyrat e veshjeve të devijojnë nga ngjyrat simbolika të partive: dmth a mund të veshin socialistet, fjala vjen Mamica , fustane e kostume blu? Ndoshta Etilda dhe Jorida mund të japin mend pa shfaqur xhelozi.
– Dhe a mund të veshin demokratët, fjala vjen, Zheni Bebi Gjergji, kostume të ngjyrosura me lejla-mavine e famshe rilindase? Nëse këtë e bën Dhurata Çupi çfarë reagimi do ketë Blero?
– Kur do të tolerohet veshja e fustankave në vend të kostumeve? Kësaj pyetje pritet t’i japë xhevap Dilua, Ismeti dhe Antoneta se ato i dinë mirë punët e marifetit dhe erzit! Një sy mund ta hedhë edhe Arben Pëllumbi me Nasipin si firaunë që janë.
– A duhet të jetë kriter vetëm temperatura në diell apo edhe temperatura politiko-parlamentare? Po Ogi që rri gjithmonë me kostum pse, çfarë ka kuptuar, ngase ka ngasje?
– Po Bora që hijeshinë e merr kudo me vete duke i ndarë stinët fet e fet? Po Anila e cila duket sikur ka vapë gjithmonë dhe skuqet? Po Tezja me jakë koreane?
– Në rast shpirtmadhësie e tolerance fustanlejuese, sa gisht mbi gju duhet te jete ai dreq fustan? A duhet negociuar për ketë me Eni Xaken apo pranohet në heshtje zgjedhja e saj?
Për çështjen e estetikës së meditimit:
Kush do lejohet që me flokët e shpushpurisura dhe me vështrimin e perhumbur te duket si filozof qe s’e ka mendjen në mexhlis, po ne hallet e mëdha te globit, për shembull si Shalsi apo Luan Baçi , Gjeneral Kollçaku apo Saimir Korreshi dhe kush do sillet si qerrata që nuk le dy gurë bashke, për shembull si Cyrbja apo Bledian Nallbati shpirti i të cilët zaliset tek sheh kah qeveria hijen e vagullt të Mamicës?
Për çështjen e proamerikanizmit:
Kujt do t’i lejohet të rrijë në mejhanen e Kuvendit me këmbë sipër tavolinës, si për shembull Etjeni dhe Arbi, dhe kush do rrijë si një evropian modest dhe i edukuar, si për shembull, Toni apo Flamur Hoxha?
Për çështjen e analogjisë me Mamicën:
Sa kohë do dojë opozita të gjejë një zonjë elokuente me krenari të epërme që të debatojë me Mamicën apo kjo e fundit do përleshet vetëm me burrat e PD? Ne kemi shefe Albanën që ju merr përpara me kuç e maç për atë punë, ne kemi Inën që ju bën gjëmën duke qeshur! Ne kemi Jorushin me llafin shërbet që ngjit si zamkë! Ehuha janë të thella këto punë!
Ne vend që të lëmë shkas për burrerizimin e Mamicës, duhet menduar pak për grarizimin e debatit.
Në këtë pikë bëjmë një komison bipartizan Gjekmarkaj , Salianji, Damua dhe Çyrbja ! Sekretar Helidon Bushati dhe si Ajatollah guidë supreme kthehemi tek Kostaqi! Këto janë çështjet kryesore që shqetësojnë gjithë boten shqiptare pa zgjidhjen e të cilave nuk ka as derman as paqë!
Top Channel