Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për zgjidhje martese nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Burime pranë gjykatës, treguan për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, se kërkesa është depozituar dorazi në sekretarinë e Dhomës Civile në Gjykatën e Tiranës nga avokati Genc Gjokutaj.
Si paditës, kërkesa ka Ilir Metën dhe të paditur Monika Kryemadhin. Ajo që bie në sy është se Meta ka shkruar si adresë zyrat e Partinë e Lirisë në rrugën “Sami Frashëri”.
Ndërkohë, Gjykata Civile nuk e ka hedhur ende shortin për të zgjedhur gjyqtarin civil që do të shqyrtojë padinë e divorcit.
Pak më herët, në një intervistë për emisionin ‘Çim Peka Live’ në SyriTv, Meta deklaroi se ai dhe Kryemadhi kanë ndjekur rrugën ligjore për këtë çështje, ndërsa ka njoftuar edhe djalin e tij Besar Ilir Metën.
“Znj.Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta. Kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, deklaroi Ilir Meta.
Top Channel