Eksportet e mallrave janë tkurrur sërish në muajin maj, pas një gjallërimi që pësuan në prill.

Trendi i tkurrjes që vijon që nga fillimi i vitit ka vijuar dhe këtë muaj ndërsa vlera e tyre arriti në 35 miliard lek 12.4% më pak se një vit më parë.

Nga krahu tjetër edhe importet në vlerën e 79 miliardë lekëve erdhën me 1.6% tkurrje. Kjo ka bërë që të rritet deficit tregtar me më shumë se 8.9%, ndërsa gjithnjë e më shumë mallrat e importit po mbushin tezgat shqiptare ndikuar edhe nga favorizimi i forcimit të lekut.

Në një krahasim nga fillimi i vitit, importet janë dyfish më të larta në vlerë se eksportet, ndërsa diferenca nga një vit më parë u thellua me 18.9%.

Për muajin maj grupi që pësoi tkurrjen më të madhe ishin tekstilet dhe këpucët. Sektori fason tashmë ka hyrë në një spirale krize, që u përkeqësua edhe më tej nga forcimi i lekut.

Ndërkohë për majin edhe eksporti i fruta -perimeve, grupi performues i mirë i vendit në vitin e kaluar, u tkurr me 2.7%. Ndërsa në muajt e parë pati rritje të fortë në sasi, tashmë edhe shitjet janë ngadalësuar tregon INSTAT. Të gjithë grupet e tjera kanë ardhur gjithashtu me tkurrje përveç mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

Ndërkohë sa i përket mallrave që kanë hyrë në Shqipëri, rritje në krahasim me një vit më parë ka pësuar grupi i ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike. Përveç tyre, sektori i ndërtimi ka nxitur edhe importin e materialeve të ndërtimit dhe metaleve si dhe makinerive dhe pajisjeve.

Sa i përket partnerëve tregtarë gjatë majit Shqipëria rriti ndjeshëm eksportet drejt Kosovës dhe Kinës, por i uli ato drejt Italisë dhe Greqisë.

Ndërkohë në maj më shumë mallra vendi ka marrë nga Turqia dhe Greqia, ndërsa ka ulur volumin me Italinë dhe Kinën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA