Gjykata Kushtetuese shqyrton tri paditë për për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.

Pasi palët parashtruan argumentet, trupa gjykuese u tërhoq në lidhje me kërkesat paraprake.

Avokati Marash Logu, i cili përfaqëson deputetët e opozitës që kanë depozituar padinë, ngriti shqetësimin se bashkimi i tre padive kufizon objektin e tyre, që është shfuqizimi për të gjitha profesionet dhe jo për disa kategori.

“Ndodhem në një moment që Gjykata Kushtetuese po dëgjon palët, duhet ta mbrojmë punën grupi i PD është nisur me këtë premisë, të mbrojmë punën, shtresën e mesme, ligji i tatimeve është ndryshuar 23 herë në vitet e fundit, duke krijuar pasiguri juridike dhe trajtim preferencial për një grup pakice. Favore fiskale po jepen për një grup që s’përbën shumicën, janë 30 mijë profesionistë po paguajnë një tatim të padrejtë.

Cenon veprimtarinë ekonomike, treguam që efektet mbi bizneset janë pothuajse shkatërruese, në një efekt bumerang të rritjes së çmimeve. Sot është përgjegjësi e çdo individi dhe e Gjykatës Kushtetuese që të tregojë që është mbi palët. Janë 30 mijë profesionistë të lirë duhet ta kuptojnë që kanë në krah grupin parlamentar të PD”, tha deputetja Jorida Tabaku për mediat jashtë Gjykatës Kushtetuese.

Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin mars u dërgua një tjetër kërkesë në

Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, do të zhvillohen në seancë plenare publike më 18 Qershor.

““Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023

“Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi””, citohet në padi.

Top Channel