Ulur mendueshëm në tryezë Matt mezi arrin të kujtojë ngjarjet e vrazhda të muajve të fundit. “Sapo mësova se ishte vetëvrasje, isha 100% i sigurtë se vinte prej mashtrimit financiar,” thotë ai.
“Që kur kam lindur deri gjashtë muaj më parë, babai im ishte një njeri i lumtur dhe pozitiv. Ky mashtrim mizor ishte e vetmja gjë që e ndryshoi dhe e shkatërroi atë”, thotë i biri.
Në një fermë luksoze në veri të Virginia, familja mblidhet tashmë shpesh në shtëpinë e motrës së vogël Adrienne, që kur babai i tyre ra viktimë e mashtrimeve të sofistikuara psikologjike që kryhen nga banda nga Azia ose Afrika, sipas skemës së ‘majmjes së derrit’.
Kjo ka të bëjë me “joshjen” e “majmjen” e viktimës para se t’i marrin atij/asaj gjithçka ka.
Mashtruesit profesionistë kanë identitete të rreme dhe kalojnë muaj të tërë duke bindur e joshur viktimat e tyre derisa i bindin të investojnë në faqe të dyshimta kriptovalutash në internet.
Dennis Jones, fotograf dhe sportist amator, adhurohej nga fëmijët dhe nipërit e tij.
82-vjecari kalonte kohën e tij të pensionit duke punuar me njerëz në nevojë dhe duke debatuar politikë në rrjetet sociale, shkruan rrjeti CNN.
Por muajt e fundit ai ishte tërhequr nga familjarët pasi ishte njohur me një grua të quajtur ‘Jessie’ në rrjetet sociale.
Ata kishin folur prej muajsh dhe krijuan një marrëdhënie të afërt, derisa rrjedhimisht Jessie e bindi Dennis të ‘investonte’ në kriptovalutat.
Dennis pranoi, edhe pa u takuar asnjë herë për së gjalli me Jessie dhe shpenzoi aty gjithçka kishte, por kur nuk ai kishte më asnjë para ajo kërkonte më shumë, derisa një ditë u zhduk dhe e la në shkatërrimin e tij.
Në mars fëmijët e Dennis u mblodhën për të ndihmuar babanë të ringrihej në këmbë, duke tentuar ta vendosnin të jetonte me Adrienne e familjen e saj. “Ne donim që ai të dinte se ne do të kujdeseshim për të,” thotë i biri Matt.
Por mëngjesin e takimit asnjë nuk mund të kontaktonte më Dennis. Matt shkoi në shtëpinë e Dennis por babai nuk shihej gjëkundi. Një orë më vonë policia i informoi se Dennis kishte vrarë veten.
Dennis është vetëm një nga viktimat e panumërta të skemave gjigante psikologjike të këtij tipi në botë, të organizuara në detaje nga banda kineze, afrikanë e aziatike në përgjithësi, që e kanë kthyer manipulimin psikologjik të njerëzve të dobët ose të moshuar në një industri masive, me punëtorë të mbajtur me detyrim për të mashtruar njerëz në tastiera ose telefonë, per t’i vjedhur kursimet e tyre të jetës.
Vjedhja është në shkallë aq të gjerë sa është raportuar kalime masive të ardhurash nga amerikanë e evropianë të klasës së mesme drejt këtyre bandave kriminale.
Vetëm vitin e kaluar FBI llogarit se me skema të tilla janë zhvendosur $4 miliardë nga amerikanët drejt grabitësve të tyre, në një rritje prej 53% nga një vit më parë.
Shawn Bradstreet, agjent i krimit financiar në San Francisco tha për CNN se paratë e mashtrimit të viktimave amerikane shpenzohen në zgjerimin e operacioneve të mashtrimit dhe aktivitete të tjera ilegale.
Dhe në fakt mediat sociale janë të mbushura me mashtrues në kërkim të viktimave të tyre në rrjette si WhatsApp, Facebook, LinkedIn apo dhe Bumble e Tinder.
“Ky realitet i vrazhdë shfrytëzon njerëz që gjithnjë e më shumë janë të prekur nga vetmia e kohërave moderne dhe bëhen viktima të thjeshta në kërkim të ‘dashurisë apo të lidhjes’. Aplikacionet e njohjeve të reja janë të mbushura me të tillë predatorë”, tha një zëdhënës i sigurisë kibernetike të Tinder, shkruan rrjeti CNN.
Top Channel