Shpëtimtarët e turistëve! Specialisti i zonave të mbrojtura në Vlorë, shpëtoi 21 turistë të humbur në zonën pyjore

16/06/2024 19:51

Të ndihmosh dhe të shpëtosh jetë është humane.

Nexhip Hysolakoj specialist i zonave të mbrojtura dhe udhërrëfyes për gjithë Vlorën, ka hyrë në vitin e 12 të punës. Ai ka shpëtuar 21 njerëz, të cilët kanë kërkuar ndihmë, pasi janë bllokuar nëpër zona të thella malore, por dhe pyje.

Shtigjet që të çojnë nëpër male dhe në pyje kanë qenë vendet ku turistët kryesisht të huajt, kanë humbur kontaktet dhe kanë qëndruar edhe dy ditë derisa janë gjetur nga udhërrëfyesit.

Humbja e orientimit ka disa arsye shprehet Hysolakoj, që nga mosllogaritja e kohës, mosorientimi, mungesa e sinjalit telefonike, etj., por dhe mungesa e ujit të pijshëm, ku shpesh herë njerëzit janë gjetur dhe të dehidratuar.

Ndër rastet e vështira ai rrëfen atë të vitit 2016 ku një turist francez humbi jetën në malin e Çikës për shkak te humbjes së shtegut. Specialisti tregon se si një gazetare Austriake qëndroi më shumë se 24 orë në pyll duke u rrezikuar dhe nga ujqërit. Kamerat kurth treguan se kopeja me ujqër kishte kaluar afër zonës ku ishte strehuar gazetarja e huaj.

Ndërkohë që ne ishim duke kaluar nëpër shtigjet e pyllit të Llogorasë, një turiste gjermane 31 vjeçare po shkonte e vetme në pyll dhe më pas drejt Karaburunit.

Xhulja e vetme nuk kishte frikë se do kalonte në mes të pyllit dhe pa udhërrëfyes. Dhe shpeshherë turistët që ndjekin këto shtigje pa udhërrëfyes kanë humbur rrugën, ndërkohë që dhe një tjetër çift të moshuarish po ngjisnin malin e Karaburunit të vetëm.

Ndërkohë nuk janë vetëm mungesa e orientimit dhe humbja në male apo pyje, por një problem tjetër është pickimi nga insektet apo gjarpërinjtë.

Hysolakoj tregon dhe eksperienca ku pickimi nga nepërka me brirë e cila është shumë e rrezikshme dhe është dashur që turistin gjerman ta dërgojmë me urgjencë në spitalin e Vlorës.

Por çdo turist duhet të ketë me vete rroba të përshtatshme dhe këpucë me qafa që mos të pickohen nga gjarpinjtë. Po ashtu është e këshillueshme që në kushte të mira dhe frigoriferike të kenë gjilpërën anti-helm(kundër gjarprit).

Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë u gjetën në kanionet e Gjipesë dy turistë nga Belgjika që kërkuan ndihmë, po ashtu dhe një turiste franceze kishte humbur kontaktet në malin e Çikës para pesë ditës, ku është dashur ndërhyrja e policisë dhe punonjësve të zjarrfikësve për nxjerrjen nga kanionet.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA