Të rinjtë në Gjermani thonë se kthehen nga e djathta prej ‘krimit jashtë kontrolli – mediat (fotot)

14/06/2024 16:34
Brandenburg an der Havel, rreth nje ore larg me tren nga Berlini

Të rinjtë gjermanë nën 25 vjeçarë thonë i kanë dhënë 16% të votave të djathtës radikale ‘AfD’, dhe kjo mbështetje ishte më e theksuar në lindje të vendit.

16 vjeçari Paul Friedrich, i cili mezi priste të hidhte votën e tij të parë në zgjedhjet evropiane shprehej se ishte i bindur se kë do të mbështeste në zgjedhjet evropiane, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

“Unë votova për AfD,” thotë ai me krenari në një stacion të mbushur me njerëz në Brandenburg an der Havel, rreth një orë larg qendrës së Berlinit.

E djathta radikale gjermane ‘Alternative für Deutschland’ shënoi avancime të mëdha mes votuesve të rinj teksa për herë të parë 16 e 17-vjeçarët mund të hidhnin votën e tyre, në reformën elektorale te kërkuar kryesisht nga e majta.

Pesë vjet më parë të rinjtë gjermanë mbështesnin Të Gjelbrit, por pas zhgënjimit të thellë me grupet ‘inovative’ që supozohej të mbronin ambjentin, ata tashmë zgjodhën AfD duke e bërë atë partinë e dytë më të madhe në vend, pas koalicionit konservator CDU-CSU dhe përpara social-demokratëve të kancelarit Olaf Scholz, shkruan The Guardian.

AfD ka krijuar mbështetje të gjerë në lindjen ish-komuniste të vendit, duke fituar të gjitha zonat ne Brandenburg, ku mori 27.5% të votës.

I riu Friedrich duket se ka të njëjtat shqetësime si ato të bashkëmoshatarëve të tij, siç janë përhapja e luftës së Ukrainës, vështirësitë ekonomike, emigracioni i pakontrolluar dhe gjithashtu krimi i dhunshëm, për të cilin vendasit thonë se shihet kudo nëse del natën në mjetet e transportit publik ose në hapësirat publike.

“Shumë gjëra po shkojnë mbrapsht me këtë qeveri,” thotë Friedrich duke iu referuar aleancës së qendrës së majtë të Scholz. “Dua që AfD ta ndryshojë këtë.”

Mbështetësit e AfD kërkojnë kontrollin e emigracionit dhe largimin e refugjatëve që shkelin ligjin ose nuk integrohen.

“Kriminelët duhet të largohen, si ata në Mannheim – kjo nuk mud të vazhdojë,” shton 17-vjeçari Konstantin, duke iu referuar vrasjes së një oficeri policie në qytet disa ditë para zgjedhjeve.

Konstantin dhe miku i tij Leonard, 18 vjeç, gjithashtu votuan për AfD. “Kur unë dal, më kanë ofenduar dhe madje pështyrë, le të themi se ishin ‘të huaj’, jo gjermanë, por këto nuk janë vlera të Gjermanisë. Nëse refugjatët vijnë këtu për të punuar atëherë është në rregull, nëse jo duhet të kthehen prapa”.

Lea, 22-vjeçare punonjëse zyre, nuk tregonte se për kë kishte votuar por tha se AfD dhe aleanca e majtë e Sahra Wagenknecht (BSË), e cila fitoi 14% në Brandenburg, ishin “të vetmet që trajtonin sigurinë sociale të brendshme”.

“Nuk kam problem me të huajt por krimi është jashtë kontrolli. Shikon njerëzit që nxjerrin thikat çdo fundjavë,” thotë ajo.

Krimi dhunshëm në Brandenburg an der Havel ka shënuar rritje me 9% nga viti 2021 deri në 2023, ndërsa nga 74,000 banorët e qytetit 6,000 kanë lindur jashtë vendit.

Ndërsa Noura Abu Agwa, refugjate 24-vjeçare nga Siria, thotë se ajo dhe nëna e saj nuk ndjehen të sigurtë në qytet prej rritjes së racizmit dhe influencës së radikalëve.

Gjermanët e rinj të pyetur nga rrjeti The Guardian kritikonin gjithashtu qeverinë për armët e dërguara në luftën në Ukrainë dhe tremben se vendi do të risjellë shërbimin e detyruar ushtarak.

“Ukraina nuk na ka interesuar ndonjëherë, le ta zgjidhin me Rusinë. Përse duhet të ndihmojmë në zgjerimin e territorit të Natos duke përdorur armët tona?”, thotë Friedrich.

Kilian Hampel, autori një studimi të të rinjve në Gjermani parashikonte prej prillit rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme.

“Besimi të partitë e mëdha vijon të tkurret dhe ato më të vogla do të fitojnë,” tha ai. /The Guardian/

FOTO GALERI
3/3
Brandenburg an der Havel, rreth nje ore larg me tren nga Berlini

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA