Shumica socialiste ka vendosur mos të humbë kohë dhe të hedhë hapin e radhës për ta bërë funksional komisionin e posaçëm parlamentar përmes të cilit synojnë, thellimin e reformave shtet formuese dhe luftën me korrupsionin.
Paraditen e të premtes ora 9:30 pritet konstituimi i këtij komisioni në sallën e Byrosë së Kuvendit.
Vlen për tu parë nëse anëtarët e opozitës do të marrin pjesë në një kohë kur grupi parlamentar i PD, dy javë më parë e bojkotoi votimin e ngritjes të këtij komisioni me një mandat 10 mujor, ku në përbërje janë 6 deputetë socialistë dhe 5 nga opozita.
Ky komision do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.
Ndërkohë që opozita e bojkoti votimin e ngritjes të këtij komisioni shumica socialiste caktoi të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Çupi, Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.
Burime nga grupi parlamentar i PD i thanë Top Channel se tashmë do të jetë Sali Berisha ai që do të vendosë në mënyrë përfundimtare për pjesëmarrjen në këtë komision.
Për konsituimin e këtij komisioni gjatë një interviste për Top Channel deputeti socialist Erion Braçe dha këtë koment.
“Se i dëgjoj që thonë se do sulmojnë SPAK-un diversantët do t’i turren SPAK-ut, ta frenojnë ta bllokojnë e kështu me radhë. Nuk është ajo fare. Më vjen keq që do të zhgënjehen se komisioni fillon punë ditën e premte. Po, do të zhgënjehen fort”.
Po komisioni që do të drejtoni ju kur do të fillojë punë?
“Unë po pres. Jam më i duruari se gjithë të tjerët. E kam fituar me kohën këtë pjesën e durimit. Po pres të vij edhe opozita se komisioni ka një element shumë të rëndësishëm në thelb. Ka sigurinë kombëtare. Dhe për sa kohë bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe cenimin e sigurisë kombëtare pastaj dy shtyllave që janë shumë të rëndësishme, demokracisë duke ndikuar në instrumentet demokratik siç janë zgjedhjet e në krahun tjetër ekonominë duke u infiltruar në sektorë strategjik të ekonomisë patjetër më duhet të jetë edhe opozita në qoftë se edhe ajo ka prioritare sigurinë kombëtare”.
Top Channel