Një nëndetëse gjigante me motor bërthamor dhe disa mjete të tjera detare të flotës ruse hynë sot në portin e Havana në Kubë për një ndalesë pesë ditore që po pasqyrohet nga mediat si një ‘shfaqje force’ relativisht pranë brigjeve të Floridas, mes tensioneve të fundit Rusi – SHBA.

Nëndetësja Kazan, e cila njoftohet se ‘nuk ka armë bërthamore’, shoqërohej nga frigata Admiral Gorshkov, si dhe një transportuese e një rimorkiator ndihmës.

Ministria ruse e mbrojtjes tha para mbërritjes së karvanit detar në Havana se “flota po kryente një stërvitje me goditje raketore preçizioni”, shkruan rrjeti AFP.

Dislokimi i pazakontë pranë Shteteve të Bashkuara vjen mes tensioneve të luftës në Ukrainë, e cila me mbështetjen e perëndimit po lufton pushtimin rus në zonat lindore.

Sot gjithashtu në Moskë u takuan ministri i jashtëm kuban Bruno Rodriguez me homologun rus Sergei Lavrov, teksa dy ish-aleatët e Luftës së Ftohtë përpiqen të forcojnë përsëri lidhjet.

Nëndetësja Kazan dhe luftanija moderne ruse Admiral Gorshkov, shiheshin sot nga banorët në bregun e Havana, që është vetëm 150 km larg majës më jugore të Florida.

Transportuesja Pashin dhe rimorkiatori me flamurët rusë, hynë në port mëngjesin e sotëm, sipas korrespondentëve të rrjetit AFP.

Gjatë Luftës së Ftohtë Kuba ka qenë një klient i rëndësishëm për Bashkimin Sovjetik, i cili instaloi në vend armë bërthamore që shkaktuan krizën raketore të vitit 1962, kur Uashingtoni e Moska raportohej se ishin ‘afër luftës’./AFP/

FOTO GALERI
9/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA