Erjon Bogdani e ka mbyllur aventurën te klubi i Palermos. Golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare në histori (18) për dy sezone mbajti rolin e shefit të sektorit të të rinjve në klubin italian, duke pasur rezultate të larta.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ish-sulmuesi i shquar i Kombëtares ka falënderuar klubin në pronësi të konsorciumit të të sheikëve të Mançester Sitit dhe tanimë është në pritje të aventurës së re.
Ja statusi i Bogdanit:
“Tani që aventura ime në Palermo ka përfunduar, ndjej nevojën të falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan në këtë udhëtim: drejtorin tim Leandro Rinaudo, djemtë e mi, trajnerët, drejtuesit dhe stafin mjekësor.
Kanë qenë dy vite të mrekullueshme, plot kënaqësi, rritje profesionale dhe objektiva të arritura plotësisht.
Shpresoj të kem përcjellë për shumë pasionin tim dhe ekspertizën e duhur të futbollit, angazhimin tim dhe mënyrën si e shoh unë futbollin e të rinjve. Sektori i të rinjve është një fushë delikate në të cilën duhet të kultivohet ëndrra e futbollit jo duke i mashtruar fëmijët që kanë ardhur apo duke u premtuar atyre një të ardhme të caktuar që nuk ekziston, por duke transmetuar ndjenjën e sakrificës, përkushtimit dhe seriozitetit të nevojshëm brenda dhe jashtë fushës.
Iu uroj djemve të mi më të mirën me shpresën se do të dëgjojnë më shumë për ta”.
Top Channel