PD zyrtarisht në duart e Berishës/ Kaso: Flamuri u kthye në shtëpi, Sefa: Nuk jam për rekurs në Gjykatën e Lartë

11/06/2024 21:24

Përfaqësuesi ligjor i palës së Sali Berishës, Ivi Kaso dhe përfaqësuesi ligjor i palës së Lulzim Bashës, Indrit Sefa, komentuan live në “Top Story” vendimin e Apelit që I kthen vulën dhe logon e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Berisha.

“Flamuri erdhi në shtëpi”, tha Kaso, që këtë vendim e konsideron rikthim të pjesshëm të normalitet, pasi Sali Berisha vazhdon të jetë në arrest shtëpiak.

“Do ta quaja rikthim të pjesshëm në normalitet, ky duhet të ishte normaliteti që në fund të vitit 2021. E pjesshme, sepse lideri është i burgosur në shtëpi, pa i ngritur ende një akuzë. Kjo ka ndikuar dy procese zgjedhore, që pa dyshim treguan se ku qëndronte vërtet flamuri i PD-së që sot u kthye në shtëpi”.

Sefa, nga ana tjetër, njoftoi se nuk po konsiderohet apelimi i vendimit, pasi sipas tij, “vazhdimi i kësaj beteje të lodhshme është në dëm të demokratëve”.

“Tejzagjtja e këtij procesi gjyqësor ndikonte te demokratët, ishte lodhje e tejskajshme. Ne e kemi kërkuar gjithmonë një zgjidhje. Kemi kërkuar që të gjitha palët të respektojnë vendimin e gjykatës. Ne e marrim të mirëqenë që sot PD është ajo që u vendos. Mendoj se kjo betejë ka zgjatur dhe nuk besoj se do të ishte në të mirë të demokratëve, vazhdimi i betejës. Ne jemi ndarë në çështje vizioni, jo vule. Unë personalisht, nuk kam të njëjtin vizion si Sali Berisha. Është një parti që drejtohet në mënyrë vertikale, pa vizion, nuk ka ide, nuk ka shpresë. Po nuk u reformove vetë, nuk ke çfarë pretendon nga qytetarët shqiptarë”.

Juristi, megjithatë, nuk kurseu një rezervë për këtë vendim.

“Në opinionin tim ligjor, jam i zhgënjyer. Mendoj se gjykata pati një nxitim për të dhënë një vendim. Ishin 56 faqe, gjykata u tërhoq për vendim për 48 min. megjithatë, nuk jam mësuar të komentoj vendimin e gjykatave”

Vendimi i Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike që në 11 dhjetor 2021 shkarkoi si kryetar Lulzim Bashën u la në fuqi këtë të martë. Vendimi i Gjykatës së Apelit konfirmon si kryetar të PD-së, Sali Berishën

Top Channel